Real Madridi e nis spastrimin e skuadrës

  • 01 July 2019 - 12:03
Real Madridi e nis spastrimin e skuadrës

Pasi i shpenzoi rreth 300 milionë euro për blerjet e verës, Real Madridi tani e ka nisur një fushatë spastrimi për t’i larguar nga Santiago Bernabeu lojtarët e padëshirueshëm. Gjiganti spanjoll shpreson se do t’i arkëtojë 250 milionë euro nga shitjet.

Madridi synon t’i shesë tani Raul de Tomas, Theo Hernadez dhe Mateo Kovacic, pasi e shiti Marcos Llorenten në Atletico Madrid për 30 milionë euro.

Reali ka marrëveshje me Benfican për ta shitur De Tomasin për një shumë fillestare prej 20 milionë euro, që pritet të rritet në 25 milionë euro, ndërsa zyrtarizimi pritet të bëhet në ditët në vazhdim. 

Ndërkohë, Theo pritet të udhëtojë drejt Italisë për ta kompletuar kalimin në Milan, klubin italian që është i gatshëm t’i paguajë 20 milionë euro për mbrojtësin e majtë.

Madridi do t’i arkëtojë 45 milionë euro nga shitja e Kovacicit në Chelsea, pasi klubi londinez është pajtuar ta blejë përfundimisht kroatin, të cilin e pati në huazim sezonin e fundit.

Në radhë për t’u larguar është edhe James Rodriguez, i cili pritet të kalojë te Napoli.

Ndërsa, Keylor Navas, Nacho, Isco, Lucas Vazquez, Marco Asensio dhe Gareth Bale pritet të largohen po ashtu, por klubit do t’i marrë kohë për t’i hequr ata qafe.

(Kosova Sot Online)