Rashford: Më lëndon çdo ditë ta shoh gjendjen e Man Unitedit

  • 02 July 2019 - 10:20
Rashford: Më lëndon çdo ditë ta shoh gjendjen e Man Unitedit

Përkundër që sapo ka nënshkruar kontratë të re me Manchester Unitedin, Marcus Rashford është shprehur shumë i zhgënjyer me gjendjen aktuale të “Djajve të kuq”, mirëpo ai shtoi se këtë dhimbje e shfrytëzon si motivim për të arritur suksese.

Marcus Rashford pritet të jetë vendimtar për të ardhmen e Manchester Unitedit gjatë vjetëve të ardhshme dhe për këtë arsye drejtuesit e “Djajve të kuq” i dhanë atij kontratë të tij deri në verën e vitit 2023.

Anglezi i shënoi 13 gola në të gjitha gara sezonin e kaluar, duke e barazuar kështu rekordin për sezonin e tij më të mirë që kur debutoi si profesionist, para katër vjetëve.

Por, përderisa Rashfordi është krenar për karrierën që e ka bërë deri më tani si individ, ai nuk mund ta thotë të njëjtën gjë edhe për klubin anglez.

Sezoni 2018/19 përfundoi mjaft keq për Manchester Unitedin, që dështoi të kualifikohet për sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve dhe e mbylli sezonin e Premierligës vetëm në pozitën e gjashtë. 

Pasi është rritur pikërisht në qytetin e Mançesterit dhe ka qenë tifoz i Manchester Unitedit gjatë gjithë jetës së tij, Rashfordi e ka ndierë dhimbjen e dështimeve të viteve të fundit më shumë sesa disa bashkëlojtarë të tij.

“Manchester Unitedi është një familje e madhe. Disa klube nuk e kanë këtë gjë – janë vetëm klube futbolli. Kjo është arsyeja pse Manchester Unitedi është më shumë sesa një klub futbolli për mua”, ka thënë Rashfordi për The Times.

“Fakti që unë jam edhe tifoz i këtij klubi e sjell edhe anën emocionale. Nëse ne e humbim një ndeshje, kjo më ndikon mua më shumë sesa që duhet sepse unë jam tifoz i Manchester Unitedit”.

“Më lëndon çdo ditë kur e shoh gjendjen në të cilën jemi, në krahasim me atë që kemi qenë në të kaluarën. Unë e përdori këtë dhimbje si motivim. Kjo më bën më të përkushtuar për ta kthyer klubin aty ku ka qenë”.

“Nuk dua asgjë tjetër më shumë sesa ta shoh klubin ta fitojmë titullin e Premierligës dhe të Ligës së Kampionëve. Të gjithë këtu meritojnë shumë, shumë më shumë sesa që ne po arrijmë – jo vetëm tifozët, por vetë klubi”.

“Ata nuk e meritojnë të jenë aty ku janë. Si lojtarë, ne jemi ata që e kemi mundësinë për të tentuar t’i harrojmë pesë apo gjashtë vjetët e fundit dhe ta kthejnë klubin sërish në rrugën e duhur”.

(Kosova Sot Online)