Casillasi i afrohet pensionimit, përkundër që dje u kthye në Porto

  • 02 July 2019 - 10:22
Casillasi i afrohet pensionimit, përkundër që dje u kthye në Porto

Uebsajti ndërkombëtar i futbollit, Goal.com, raporton se Iker Casillas do ta konfirmojë pensionimin e tij nga futbolli përkundër që të hënën u kthye në skuadrën e Portos.

Portieri 38-vjeçar e bëri një paraqitje të papritur në kampin stërvitor të Portos të hënën, përderisa klubi portugez i filloi përgatitjet për sezonin e ardhshëm, dy muaj pasi ai e pësoi një sulm në zemër gjatë stërvitjeje dhe u detyrua të operohej.

“Sërish në punë, dita e parë”, shkroi Casillas në Twitter për ta lajmëruar kthimin e tij, mirëpo ai nuk u stërvit me bashkëlojtarët e tij dhe iu shmang edhe testeve mjekësore parasezonale, pasi që ende është duke u rikuperuar nga operacioni i tij.

Muajin e kaluar, ish-ylli i Real Madridit dhe Spanjës i mohoi lajmet se tashmë ka vendosur të pensionohet nga karriera e tij si futbollist profesionist. Në kontratën e tij me Porton mbetet edhe një vit, si dhe opsioni për ta zgjatur kontratën deri në vitin 2021. 

Por, Goal.com raporton se Casillasi u shfaq në kampin stërvitor të Portos këtë javë për t’i finalizuar detajet e pensionimit të tij, përkundër që ende nuk ka datë përfundimtare për zyrtarizimin e këtij lajmi.

Porto tashmë është duke u përgatitur për largimin e Casillasit, i cili iu bashkua atyre nga Real Madridi në vitin 2015. Ai i ka bërë 156 paraqitje me gjigantin portugez që nga atëherë.

Porto tashmë ka bërë oferta për transferimin e dy portierëve gjatë këtij afati kalimtar, për Tomas Koubekun e Rennesit dhe Dominik Greifin e Slovan Bratislavas.

(Kosova Sot Online)