Giannis Antetokounmpo: Nga shitës i syzeve të diellit në rrugët e Athinës në MVP të NBA

  • 02 July 2019 - 10:42
Giannis Antetokounmpo: Nga shitës i syzeve të diellit në rrugët e Athinës në MVP të NBA

Përderisa e ul trupin e tij të gjatë 211 centimetra në një stol në fushën e Filathiiltikosit, fati i buzëqesh Giannis Antetokoumpos, basketbollistit më të mirë të NBA për sezonin 2018/19.

Kur ai ishte vetëm adoleshent në këtë fushë në Athinë, ai duhej ta priste vëllain e tij, Thanasisin, për ta zëvendësuar dhe për t’ia dhënë atij këpucët me të cilët luanin që të dy. Tani, fusha është e mbushur me fëmijë të vegjël, që mbathur kanë këpucët e dizajnuara nga vetë Giannis, shkruan BBC.

Pikërisht në Athinë, Giannis punonte si tregtar dhe shiste përreth rrugës syze dhe çanta të vogla. Ai shfaqet ende në ato rrugë, mirëpo tani në formë të posterave të mëdhenj, pasi që tani është fytyra e shumë firmave ndërkombëtare.

Gjatë 18 vjetëve të para të jetës së tij, Giannis nuk u largua asnjëherë nga Greqia, por ai nuk është kurrë grek. Tani, ai ka qenë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që gjashtë vjet, mirëpo është kthyer në Greqi si greku më i famshëm në botë, një multimilioner dhe basketbollisti më i mirë në botë.

“Është një çmenduri. Ku kemi qenë atëherë dhe ku jemi tani, është një rrugëtim i pabesueshëm. Është përtej imagjinatës time”, shprehet 24-vjeçari.

Giannis kishte lindur në Athinë në dhjetor të vitit 1994. Ai ishte djali i dytë i Veronicas dhe Charlesit, të cilët ishin shpërngulur nga Lagosi i Nigerisë në kërkim të një jete më të mirë.

Ata e gjetën paqen që e donin, mirëpo vetëm deri në një pikë. Përkundër që kishin lindur në Greqi, as Giannis e as vëllai i tij nuk e fituan dot nënshtetësinë greke. Si imigrantë ilegalë, Charles dhe Veronica e kishin të pamundur një gjë të tillë.

Qeveria greke nuk i jepte atyre të drejtën për të qëndruar, por familja nuk dëshironte të largohej. Në vend të largimit, familja gjashtëanëtarëshe i kalonin netët në një apartament dydhomësh në Athinë dhe gjatë ditës ata kërkonin për punë që mund t’i kryenin pa pasur dokumente.

“Ne shitëm shumë gjëra të ndryshe – ora, çanta, syze dielli, CD-ja, DVD-ja. Shitnim çfarëdo që arrinim ta marrim në dorë. Isha i mrekullueshëm në këtë gjë, mund të ta thonë këtë gjë edhe vëllezërit e mi”, sqaron Giannis. 

“Kjo e kaluar si fëmijë ka bërë që unë ta kem këtë etikë pune tani. I kam parë prindërit e mi duke punuar jashtëzakonisht shumë çdo ditë për të na i siguruar neve një jetë më të mirë. Ishte e pabesueshme dhe kjo më ka mbetur në mendje gjatë gjithë jetës”.

Në kohën e pakët të lirë që Giannis e kishte, ai ëndërronte të shënonte gola, e jo kosha. Babai i tij kishte qenë futbollist, por kur jeta e tij e detyroi ta lë anash këtë ëndërr, ai ia kaloi pishtarin djemve të tij.

Ai filloi të luajë për Olympiacosin por një takim me Spiros Velliniatis, skaut dhe trajner i basketbollit, ia ndryshoi jetën Giannisit.

I motivuar nga Velliniatis, Giannis filloi të luajë për klubin grek të basketbollit, Fialthiltikos, të cilët i ofruan atij t’i gjenin punë edhe prindërve të tij.

Paraqitjet e mira të Giannisit bëri që ai ta niste karrierën në NBA para gjashtë vjetëve, ndërsa këtë vit ai e fitoi çmimin MVP (Most Valuable Player – Lojtari Më i Vlefshëm) në NBA, duke i lënë pas basketbollistët si LeBron James, Kawhi Leonard e James Harden.

(Kosova Sot Online)