Trajneri i Argjentinës i del në mbrojtje Messit

  • 02 July 2019 - 11:22
Trajneri i Argjentinës i del në mbrojtje Messit

Trajneri i Argjentinës, Lionel Scaloni, i ka mbrojtur paraqitjet e Lionel Messit në ndeshjet e Kupës së Amerikës, duke thënë se ai është i kënaqur me yllin e Barcelonës dhe se Argjentina po e kërkon një tjetër stil të lojës nga Messi.

Edhe pse Lionel Messi ende nuk e ka shfaqur më të mirën e vet në turneun e Kupës së Amerikës, Argjentina ka arritur të jetë njëra ndër katër ekipet e fundit në këtë garë dhe të martën do të takohet me skuadrën e Brazilit në Belo Horizonte.

Argjentina e mposhti Venezuelën në fazën çerekfinale, përmes golave të shënuar nga Lautaro Martinez dhe Giovani Lo Celso, pasi u kualifikua në këtë fazë nga grupi ku rival i kishte Paraguajin, Kolumbinë dhe Katarin.

Messi ka shënuar vetëm një herë në këtë turne dhe ky gol erdhi nga pika e penalltisë në barazimin 1:1 të Argjentinës me Paraguain në ndeshjen e dytë të fazës së grupeve.

Ndeshja e parë e argjentinasve ishte disfata kundër Kolumbisë, edhe pse forma e tyre është përmirësuar, me fitore kundër Katarit dhe Venezuelës në dy ndeshjet e fundit. Përkundër që Messi nuk e ka dhënë më të mirën e tij ende, Scaloni është i kënaqur me yllin e Barcelonës. 

“Ne jemi mësuar që ai t’i shënojë nga tri gola çdo ndeshje dhe t’i driblojë nga pesë kundërshtarë. Ne po kërkojmë diçka tjetër nga ai. Jemi më shumë sesa vetëm të kënaqur me punën e tij. Ai e ka pranuar punën, është flamurtari ynë”, u shpreh Scaloni.

“Lojtarët e duan Messin aq shumë saqë nganjëherë thonë se duan ta fitojnë këtë turne për të. Lojtarit më të mirë në histori të futbollit i mungon një titull me Argjentinën, por ne të gjithë duam të fitojmë, jo vetëm ai”.

(Kosova Sot Online)