Real Madridi nuk heq dorë nga transferimi i Pogbas

  • 02 July 2019 - 11:36
Real Madridi nuk heq dorë nga transferimi i Pogbas

Manchester Unitedi do të jetë në ankth deri në fund të afatit kalimtar të verës për të ardhmen e Paul Pogbas, pasi që Real Madridi nuk do të heqë dorë nga transferimi i francezit deri në ditën e fundit të kësaj merkatoje.

Mesfushori francez ka qenë i lidhur me një transferim larg Old Traffordit, pasi që muajin e kaluar e pranoi se ky mund të jetë momenti i përsosur për të për ta përjetuar një sfidë të re.

Real Madridi dhe Juventusi janë dy klubet që janë duke luftuar për t’i siguruar shërbimet e 26-vjeçarit, i cili vlerësohet 160 milionë funte, pasi në vitin 2016 u kthye në Manchester United për 89 milionë funte. 

Tani, sipas të përditshmes spanjolle AS, Real Madridi nuk do të dorëzohet për transferimin e mesfushorit, përkundër hezitimit të Manchester Unitedit për ta shitur atë.

“Los Blancos” besojnë se oferta e Juventusit për Pogbas është e paarritshme, por ata do t’i bëjnë presion Manchester Unitedit për t’ia shitur futbollistin deri më 2 shtator, kur edhe mbyllet afati kalimtar i verës në Spanjë.

Gjigantët e Premierligës nuk kanë pranuar ta negociojnë shitjen e Pogbas deri më tani dhe AS pretendon se drejtuesit e klubit anglez i kanë lënë drejtuesit e klubit madrilen dy herë të braktisur në takime për negociata.

Mirëpo, Real Madridi nuk do të heqë dorë, pasi që Pogba është futbollisti të cilin Zinedine Zidane ia ka kërkuar me më së shumti ngulm presidentit të Real Madridit, Florentino Perezit.

(Kosova Sot Online)