Tare tregon se si reaguan Maldini dhe Boban kur e refuzoi Milanin

  • 02 July 2019 - 12:56
Tare tregon se si reaguan Maldini dhe Boban kur e refuzoi Milanin

Puna e mrekullueshme që po e bën viteve të fundit në Lazio si drejtor sportiv kishte bërë që gjiganti italian dhe evropian, Milani, ta lakmojë shqiptarin Igli Tare. Rossonerët besonin se ish sulmuesi i Kombëtares Shqiptare do të mund të bënte punë të shkëlqyeshme edhe në Milanello dhe se do të mund t’u ndihmonte në rimëkëmbjen e Milanit.

Andaj, dy legjendat e Milanit, të cilët së fundmi morën pozita të larta drejtues në klubin e zemrës, Zvonomir Boban dhe Paolo Maldini, e kishin ftuar Taren që t’u bashkohet në Milan dhe bashkërisht ta çojnë lartë klubin kuq e zi. Por, Tare nuk kishte mundur ta lë Lazion pas 15 vjetëve të kaluara në klubin për të cilin edhe kishte luajtur si futbollist.

Dhe, Tare nuk është penduar që e refuzoi njërin prej klubeve më të mëdha në botë, kampionin e shtatëfishtë evropian.

“Nuk mendoj se refuzimi për të punuar te Milani do ndikojë në karrierën time. Kam qenë te Lazio për 15 vite. Zgjedhjen për të qëndruar e bëra prej dashurisë”, ka deklaruar Tare, i cili e ka rrëfyer përvojën e tij me legjendat Boban dhe Maldini.

“Jam i nderuar që pata interes nga Boban e Maldini. Fola me ta, e di që Milani është jeta e tyre. Por, e pranuan “jo”-në time me një respekt të madh. E dinin se do të ishte e vështirë për mua që të merrja këtë hap”, ka theksuar Tare, i cili tani mbetet i përkushtuar që të shënojë suksese tjera në Lazio

(Kosva Sot Online )