Dy rrugët që mund ta sjellin Neymarin në Barcelonë

  • 02 July 2019 - 13:01
Dy rrugët që mund ta sjellin Neymarin në Barcelonë

Barça është duke u përballur me transferimin më të vështirë në histori të klubit. Kthimi i Neymarit në Camp Nou varet nga pronari i Paris Saint-Germainit, i cili i kërkon 222 milionë euro për futbollistin.

Në zyrat në Camp Nou, stafi teknik i Barcelonës është duke tentuar ta gjejë një mënyrë për ta kthyer në skuadër yllin brazilian, Neymarin. Ata e dinë se ky transferim do të jetë një proces i gjatë dhe i vështirë, shkruan AS.

Transferimi i brazilianit nuk do të jetë i lehtë fillimisht për shkak të çmimit të Neymarit dhe së dyti për shkak të marrëdhënies së tensionuar që klubi e ka me PSG-në. Së fundi, por jo me më pak rëndësi, për shkak të  numrit të lojtarëve që mund të ndikohen nga ky transferim.

Barcelona ka arritur t’i gjejë dy rrugë për t’i siguruar shërbimet e Neymarit sezonin e ardhshëm. Asnjëra prej tyre nuk do të jetë e lehtë. Në rrugën e parë, Barcelona duhet ta bindë pronarin e PSG-së, Al Khelaifin të pranojë lojtarë të tjerë të Barcelonë dhe para në shkëmbim të Neymarit.

Opsioni tjetër është shitja e atyre futbollistëve për ta rritur buxhetin e klubit, në mënyrë që katalonasit të mundë ta përballojnë financiarisht transferimin e Neymarit për 222 milionë euro, shumë që PSG-ja ia kishte paguar Barcelonës për ta transferuar brazilianin para dy vjetësh.

Megjithatë, cilëndo rrugë që ta zgjedhin drejtuesit e Barcelonës, ky proces nuk do të jetë aspak i lehtë. Marrëdhënia mes dy klubeve nuk është e mirë – katalonasit nuk kanë harruar se si ishin refuzuar nga PSG-ja sa herë kishin tentuar ta transferimin ndonjë lojtar të klubit francez në të kaluarën.

Barcelonës nuk i ishte dhënë asnjë mundësi nga PSG-ja kur spanjollët ishin të interesuar për transferimin e Thiago Silvas, Marquinhosit, Verrattit dhe, së fundi, Rabiotit. Pastaj, Al-Khelaifi ua “rrëmbeu” atyre Neymarin. 

(Kosova Sot Online )