Babai i Neymarit flet për kthimin e mundshëm të djalit të tij në Barcelonë

  • 02 July 2019 - 13:24
Babai i Neymarit flet për kthimin e mundshëm të djalit të tij në Barcelonë

Babai i Neymarit i ka mohuar lajmet se ai do të udhëtojë në Barcelonë së shpejti për ta negociuar një transferimin të mundshëm për djalin e tij në Camp Nou.

Spekulimet për kthimin e Neymarit në Barcelonë s’kanë të ndalur. Dy vjet pasi ai u bë lojtari më i shtrenjtë në histori të futbollit kur u transferua në Paris Saint-Germainit, tani raportohet se Neymari dëshiron të largohet nga kryeqyteti francez.

Megjithatë transferimi i brazilianit në Spanjë nuk do të jetë një proces i lehtë. Fillimisht, Barcelona do të duhet të arrijë marrëveshje me PSG-në, që kërkon shumë të madhe parash dhe lojtarë tjerë në shkëmbim për Neymarin. 

Për më tepër, Barcelona duhet të sigurohet edhe që nuk i shkel rregullat për ndershmëri financiare të FIFA-s e UEFA-s. Katalonasit duan ta transferojnë edhe Neymarin e edhe Antoine Griezmannin këtë verë, mirëpo ky synim mund të bëjë që Barcelona të përballet me dënime nga shtëpitë e futbollit.

Fillimisht, UEFA mund ta përjashtojë atë nga garat evropiane, ndërsa FIFA mund t’ia ndalojë transferimin e futbollistëve për disa afate kalimtare. Kjo bën që puna për këtë transferim të mos shkojë aq shpejt sa mund të kenë dëshirë tifozët e Barcelonës.

Këtë gjë e ka konfirmuar edhe babai i 27-vjeçarit, duke thënë se ai nuk ka asnjë plan të kthehet në Katalonjë, përkundër që mediat spanjolle raportuan për  një gjë të tillë.

“Nuk do të shkoj në Barcelonë për të negociuar. Jam në Brazil dhe do të qëndroj këtu deri në momentin kur të kthehemi në Paris me djalin tim”, u shpreh babai i Neymarit në një intervistë për FOX Sports.

Neymari është për momentin në vendlindje, ku po e përcjell ekipin kombëtar të Brazilit duke garuar në Kupën e Amerikës.

(Kosova Sot Online)