Pas Zvicrës, edhe Italia në këmbë për ta gjetur futbollisten e zhdukur nga Kosova

  • 02 July 2019 - 16:11
Pas Zvicrës, edhe Italia në këmbë për ta gjetur futbollisten e zhdukur nga Kosova

Pas autoriteteve zvicerane, edhe ato italiane janë vënë në kërkim të futbollistes nga Kosova, Florijana Ismaili, e cila është zhdukur që nga e shtuna pasdite në liqenin e Comos në Itali

Autoritetet zvicerane po e vazhdojnë kërkimin e Florijana Ismailit, futbollistes nga Kosova e cila është zhdukur që nga e shtuna pasdite teksa po e kalonte një ditë vikendi me një mike të saj në liqenin e Mussoss në qytetin e Comos në Itali.

Mirëpo, së fundmi autoriteteve zvicerane u janë shtuar edhe ato italiane, në kërkim të 24 vjeçares.

Në orët e fundit, një skuadër ka mbërri nga qyteti i Milanos dhe i ka nisur gjurmimet në liqenin që mund të shkojë në një thellësi prej 200 metrash.

Zviceranët e kanë vënë në përdorim edhe një robot, i cili mund të kërkojë në thellësi të mëdha, ku është e vështirë të shkojnë njerëzit.

Edhe prindërit e Florijana Ismailit po qëndrojnë në vendin e ngjarjes, njoftojnë mediat italiane.

Sipas tyre, vetëm një mrekulli do të bënte që Florijana të jetë gjallë jashtë liqenit, ndërkohë që po bëhen përpjekje të mëdha për ta gjetur trupin e saj.

Ismaili dinte të notonte pa problem, siç kanë treguar miket e saj dhe hipotezat e fundit thonë se ajo mund të ketë pësuar shok temik në mes të nxehtësisë së ajrit dhe temperaturave më të ulëta në ujin e liqenit.

Kur Florijana kërceu në ujë, temperatura në Como po shënonte 33°C.

Sipas shpëtimtarëve, rrymat e ujit mund të kenë lëvizur shumë dhe kjo ka mundur të bënte që ndoshta edhe hulumtimet deri tash nuk kanë dhënë rezultate pozitive.

Në këtë zonë, megjithatë priten reshje të shiut në orët e ardhshme dhe ky fakt mund ta ngadalësojë edhe më shumë punën e njerëzve të thirrur për ta gjetur trupin e 24 vjeçares.

E lindur në Walperswil, në kantonin e Bernës, Florjiana Ismaili shpejt u bë simbol dhe element kyç i ekipit Young Boys, deri në atë pikë sa u konsiderua një e ardhme e ndritshme e futbollit të femrave të Zvicrës, të cilën e përfaqësonte qe një kohë. 

(Kosova Sot Online)