Rrugëtimi i skuadrës së Gerradit në Evropë varet nga Prishtina

  • 02 July 2019 - 16:37
Rrugëtimi i skuadrës së Gerradit në Evropë varet nga Prishtina

Skuadra e drejtuar nga Steven Gerrard, Rangers, mund të detyrohet ta nisë rrugëtimin në Ligën e Evropës dy ditë më herët sesa që ishte planifikuar. Gjithçka varet nga rezultati në ndeshjen e sotshme mes Prishtinës dhe St Joseph’s.

Nëse Prishtina dështon në ndeshjen që zhvillohet sot në orën 17:15 kundër St. Joseph’s në Gjibraltar, Rangers do të detyrohet ta zhvillojë ndeshjen e rrethit të parë kualifikues në Ligën e Evropës më 9 korrik, dy ditë para sesa ishte plani fillestar.

St. Joseph’s dhe Prishtina barazuan me rezultat 1:1 në ndeshjen e parë të rrethit paraeliminator të Ligës së Evropës, ndeshje kjo që u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Ndeshja kthyese do të zhvillohet sot në Gjibraltar dhe interes për këtë ndeshje do të shprehë edhe skuadra e Steven Gerrardit.

Nëse St Joseph’s arrin të kualifikohet në rrethin e parë kualifikues, bashkë me klubin tjetër nga Gjibraltari, Europa, atëherë përballja mes St. Joseph’s dhe Rangers do të zhvillohej të martën, dhe jo të enjten, si zakonisht për ndeshjet e Ligës së Evropës.

Kjo pasi që Gjibraltari e ka vetëm një stadium të licencuar për organizimin e ndeshjeve evropiane dhe që të dyja skuadrat – St Joseph’s dhe Europa – nuk do të kishin mundësi të luanin të enjten. 

(Kosova Sot Online)