Brazili e mposht Argjentinën dhe shkon në finale, shkëlqen Jesus

  • 03 July 2019 - 08:10
Brazili e mposht Argjentinën dhe shkon në finale, shkëlqen Jesus

Golat e shënuara nga Gabriel Jesus dhe Roberto Firmino bënë që Brazili të triumfojë kundër Argjentinës në fazën gjysmëfinale të Kupës së Amerikës.

Brazili u kualifikua në finalen e parë të Kupës së Amerikës që nga viti 2007 me një fitore me rezultat 2:0 kundër Argjentinës, të martën në Belo Horizonte.

Gabriel Jesus shkëlqeu për skuadrën e Tites, duke e shënuar golin hapës para se ta krijonte golin e Roberto Firminon në gjysmëfinalen e Kupës së Amerikës, që u zhvillua në stadiumin “Estadio Mineiaro”.

E drejtuar nga Lionel Messi, Argjentina i pati mundësitë e veta, duke e goditur dy herë shtyllën përmes yllit të Barcelonës dhe Sergio Agueros.

Mirëpo, mundësitë e tyre u lanë në harresë nga goli i Firminos në minutën e 71-të të ndeshjen për tetë-herë kampionin, Brazilin.

Në atë që ishte një fillim i furishëm, Leandro Paredes shkoi shumë afër golit për Argjentinën, mirëpo goditja e tij e fortë shkoi pak më lart sesa që dëshironte argjentinasi.

Jesus ishte në formë të mirë që nga fillimi dhe ai e shënoi golin e parë të ndeshjes për Brazilin në minutën e 19-të.

Dani Alves luajti në mënyrë të jashtëzakonshme për ta liruar Firminon në krahun e djathtë të zonës. Firmino e bëri harkimin që çoi deri te goli i Jesusit.

Pas golit të parë, Brazili u kthye prapa në mbrojtje për ta ruajtur rezultatin dhe Argjentina shkoi afër golit të barazimit kur ora shënoi 60 minuta. 

Harkimi i mirë i Messit nga një gjuajtje e lirë u shfrytëzua nga Aguero, por Brazilin e shpëtoi shtylla.

Philippe Coutinho e pati një mundësi të mirë ta dyfishonte rezultatin e Brazilit në minutën e 56-të, por goditja e tij shkoi lart mbi portë, pas një pasimi të mirë nga Jesus.

Dhe, vetëm një minutë më vonë, Argjentina e goditi shtyllën përsëri. Këtë herë, topi i goditur në stilin “vollej” nga Messi nga krahu i majtë u ndal nga shtylla.

Argjentina vazhdoi ta dominojë lojën përderisa ishte në kërkim të golin të barazimit, mirëpo gjuajtja e Messit nga goditja e lirë u mbrojt lehtësisht nga Alissoni në minutën e 66-të.

Në vend të barazimit, Brazilit e përfundoi një kundërsulm të shpejtë duke e dyfishuar rezultatin, falë punës së mirë të bërë nga Jesus.

Jesus e filloi kundërsulmin me një vrapim brilant nga pjesa e vet e fushës  para se ta poziciononte veten për t’ia pasuar në mënyrë të mrekullueshme topin Firminon, i cili me një goditje të lehtë e çoi rezultatin në 2:0.

Kjo ishte goditja vendimtare për Argjentinën dhe Brazili tashmë e ka siguruar një vend në finale, ku do të takohet të dielën ose me Kilin, ose me Perunë.

(Kosova Sot Online)