Holandë – Suedi: Kosovare Asllani synon një vend në finale të Kupës së Botës

  • 03 July 2019 - 09:11
Holandë – Suedi: Kosovare Asllani synon një vend në finale të Kupës së Botës

Sonte në orën 21:00, Kosovare Asllani e Suedisë do të tentojë ta fitojë përballjen kundër Holandës në gjysmëfinale të Kupës së Botës së vajzave, për ta siguruar kështu një vend në finale kundër kampioneve në fuqi, vajzave të SHBA-së.

Holanda dhe Suedia do të takohen sonte në orën 21:00 në stadiumin “Parc Olympique Lyonnais” në Francë për një vend në finalen e Kupës së Botës së vajzave.

“Luaneshat” e Holandës janë kampionet në fuqi të Evropës, pasi e kishin mposhtur Danimarkën në finalen e vitit 2017. Formën e mirë ato e kanë shfaqur edhe në Kupën e Botës, duke arritur deri në gjysmëfinale.

Në anën tjetër, Suedia nuk ka fituar asnjë trofe që nga EURO ’84, por skuadra e Peter Gerhardssonit ka mbajt vetëbesim, pasi e tronditi Gjermaninë në fazën çerekfinale të këtij turneu.

Fituesi i kësaj ndeshjeje do të përballet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në finale, pasi që SHBA-ja e mposhti Anglinë në gjysmëfinalen tjetër, që u zhvillua të martën.

Formacionet e mundshme të të dy skuadrave:

Holanda: Van Veenendaal; Van Lunteren, Van der Gragt, Janssen, Van Dongen; Groenen, Spitse, Van de Donk; Van de Sande, Miedema, Martens

Suedia: Lindahl; Glas, Fischer, Sembrant, Ericsson; Rubensson, Seger; Jakobsson, Asllani, Hurtig; Blackstenius.

(Kosova Sot Online )