Messi e komenton të ardhmen e tij me Argjentinën

  • 03 July 2019 - 10:46
Messi e komenton të ardhmen e tij me Argjentinën

Lionel Messi i ka qetësuar tifozët e frikësuar se ai mund të pensionohet për herë të dytë nga futbolli ndërkombëtar me Argjentinën, pas eliminimit të bardhekaltërve në finale të Kupës së Amerikës.

Argjentina u mposht me rezultat 2:0 nga Brazili në Helo Horizonte të martën (të mërkurën në Kosovë, për shkak të kohës lokale). Ky eliminim bën që Lionel Messi të jetë ende në pritje për trofeun e parë të madh me Kombëtaren argjentinase.

Vetëm muajin e kaluar, Messi kishte vënë dyshime mbi mundësitë e tij për të luajtur në Kupën e Botës 2022 në Katar – kur ai do të jetë 34-vjeçar – por pas një tjetër zhgënjimi në skenën ndërkombëtare, ylli i Barcelonës e konfirmoi përkushtimin e tij për Argjentinën, të paktën për tani.

“Diçka e re është në horizont”, tha ai për gazetarët, duke shtuar se shpreson që tifozët në vendlindje të tij do të jenë të vetëdijshëm për punën e skuadrës së tyre gjatë këtij turneu.

“Shpresoj se ne do të respektohemi e nuk do të kritikohemi. Ata duhet ta lënë të qetë skuadrën dhe të na lënë të rritemi”. 

“E vërteta është se unë kam kaluar shumë mirë me këtë grup të lojtarëve dhe nëse ka nevojë që unë të ndihmoj në ndonjë mënyrë, do ta bëj këtë gjë. Ky është një grup i mrekullueshëm, që është duke u rritur dhe nëse unë mund t’i bashkohem, do ta bëj një gjë të tillë”.

Messi ishte pensionuar më parë nga futbolli ndërkombëtar me Argjentinën në vitin 2016, pasi ai e kishte humbur një penallti në disfatën e Argjentinës kundër Kilit në finale të Kupës së Amerikës.

Ai më vonë u kthye në skuadër për t’i ndihmuar vendlindjes së tij të kualifikohet për Kupën e Botës 2018, por që nga atëherë ka sugjeruar në disa raste se karriera e tij me ekipin kombëtar mund të jetë duke shkuar drejt fundit.

Messi është golashënuesi më i mirë i të gjitha kohëve për Argjentinën, me 68 gola të shënuara në karrierën e tij me Kombëtaren argjentinase.

(Kosova Sot Online)