Milani shpreh ngushëllime për vdekjen e Florijana Ismailit

  • 03 July 2019 - 11:19
Milani shpreh ngushëllime për vdekjen e Florijana Ismailit

Milani e ka shfrytëzuar llogarinë e vet në rrjetin social Tëitter për t’u shprehur ngushëllime familjarëve dhe të afërmve të futbollistes me origjinë shqiptare, Florijana Ismailit, e cila u gjet e vdekur të martën pasdite në fund të liqenit ku ishte zhdukur para tri ditëve.

Trupi i pajetë i futbollistes shqiptare të Zvicrës dhe Young Boys, Florijana Ismailit, u gjet dhe u tërhoq dje nga Liqeni Como në Itali, tri ditë pasi ajo u raportua e zhdukur nga mikja e saj.

Ajo u gjet në një thellësi prej 204 metrave, jo larg vendit ku ishte zhdukur në Liqenin Como në Itali. 24-vjeçarja me origjinë shqiptare ishte futur në ujë në liqenin Como të shtunën pasdite duke mos u rishfaqur më.

“Me zemër të rënduar po e dëgjojmë lajmin për vdekjen e futbollistes zvicerane Florijana Ismaili. U shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes së saj, shoqërisë dhe klubit të saj Young Boys në këto kohëra të vështira”, shkruhet në deklaratën e lëshuar nga Milani. 

Pas lajmit për gjetjen e trupit të Ismailit reagoi edhe presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, i cili tha: “Ky është një moment tmerrësisht mërzitës për të gjithë komunitetin e futbollit, veçanërisht në një kohë kur ne jemi grumbulluar për Kupën e Botës të vajzave”.

Ismaili, e lindur në Bern nga prindër shqiptarë, më 2014 debutoi në ekipin kombëtar të Zvicër dhe që prej atëherë i zhvilloi 33 ndeshje.

(Kosova Sot Online)