Trajneri i Brazilit: Ne e neutralizuam jashtëtokësorin Messi

  • 03 July 2019 - 12:06
Trajneri i Brazilit: Ne e neutralizuam jashtëtokësorin Messi

Trajneri i Brazilit Tite thotë se Lionel Messi është jashtëtokësor, mirëpo skuadra e tij arriti ta neutralizojë atë për të siguruar fitore me rezultat 2:0 në gjysmëfinale të Kupës së Amerikës kundër Argjentinës.

Ylli i Barcelonës dështoi sërish të ketë ndikim vendimtar në ndeshje me Kombëtaren e tij, pasi që Brazili i shfrytëzoi rastet që i pati dhe dy golat e Gabriel Jesusit dhe Roberto Firminos e dërguan “Selecaon” në finale kundër Kilit ose Perusë.

Gabriel Jesus shkëlqeu për skuadrën e Tites, duke e shënuar golin hapës para se ta krijonte golin e Roberto Firminon në gjysmëfinalen e Kupës së Amerikës, që u zhvillua në stadiumin “Estadio Mineiaro”. 

E drejtuar nga Lionel Messi, Argjentina i pati mundësitë e veta, duke e goditur dy herë shtyllën përmes yllit të Barcelonës dhe Sergio Agueros.

Mirëpo, mundësitë e tyre u lanë në harresë nga goli i Firminos në minutën e 71-të të ndeshjen për tetë-herë kampionin, Brazilin.

“Messi është një jashtëtokësor, ai është i jashtëzakonshëm. Ai meriton shumë lëvdata. Me veprimet e tua në fushë duhet ta neutralizosh atë sepse Messin s’mund ta ndalësh”, ka thënë Tite.

“Ne u detyruam ta ndryshojmë pak strukturën e skuadrës, kështu që e sollën Firminon pak më afër mesfushës për t’i zvogëluar veprimet e tij [Messit], por edhe për ta eksploruar shpejtësinë tonë”.

(Kosova Sot Online)