Man Unitedi i ofron kontratë më të mirë De Geas

  • 03 July 2019 - 14:01
Man Unitedi i ofron kontratë më të mirë De Geas

Manchester Unitedi ia ka ofruar portierit spanjoll David De Gea një kontratë më të mirë me qëllimin për ta bindur të nënshkruajë marrëveshje të re me “Djajtë e kuq”.

Para disa ditësh Marcus Rashfordi e nënshkroi një kontratë të re me gjigantin nga Old Traffordi dhe drejtuesit e klubit anglez synojnë ta bindin edhe David de Gean për ta bërë një gjë të njëjtë.

Negociatat për rinovim të kontratës vazhduan gjatë gjithë sezonit të kaluar, mirëpo kërkesat e portierit, që iu bashkua klubit në vitin 2011 nga Atletico Madridi, për pagë më të lartë bënë që dy palët të mos gjenin marrëveshje.

Situata mes këtyre dy palëve është bërë më serioze gjatë kohëve të fundit pasi që kontrata e 28-vjeçarit do të mbarojë verën e ardhshme dhe tani mediat angleze pretendojnë se drejtuesit e Manchester Unitedit i kanë ofruar kontratë më të mirë spanjollit.

De Gea ka qenë i përfolur për një transferim të mundshëm në Paris St. Germain dhe Juventus, ndërsa lidhjet me Real Madridin vazhdojnë të dalin në sipërfaqe herë pas herë, që kur transferimi i spanjollit te “Los Blancos” dështoi për shkak të disa detajeve në vitin 2015.

28-vjeçari është emëruar Lojtari Më i Mirë i Vitit i klubi plot katër herë gjatë periudhës së tij në Old Trafford, mirëpo gjatë fundit të sezonit të kaluar paraqitjet e tij nuk ishin në nivelin e tij të zakonshëm.

Kur u pyet për këto paraqitje të De Geas afër fundit të sezonit, trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, tha: “Natyrisht që i besojmë atij, ai ka qenë fantastik këtë sezon”. 

(Kosova Sot Online )