Trajneri i Kosovës Challandes bëhet operacion

  • 03 July 2019 - 14:38
Trajneri i Kosovës Challandes bëhet operacion

Federata e Futbollit e Kosovës ka bërë të ditur, përmes një postimi të publikuar në faqen zyrtare, se trajneri i ekipit kombëtar të Kosovës, Bernard Challandes, e ka bërë dje operacion gjurin e këmbës së tij.

Kryesuesi i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i ka uruar Bernard Challandesit shërim të shpejtë dhe e ka theksuar rolin e tij për skuadrën e “Dardanëve”.

“Pas operimit që pati dje përzgjedhësi i Kombëtares sonë, Bernard Challandes, në gju, shfrytëzoj rastin që në emrin tim dhe në emër të Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës t’ i uroj atij shërim sa më të shpejtë”, thuhet në letrën e Ademit.

“Roli i tij në ecurinë e ekipit tonë Kombëtar është shumë i rëndësishëm, prandaj ne e presim përzgjedhësin Challandes që të kthehet sa më i fortë në shtator kur na presin dy sfidat e radhës”.

“Zotit Challandes i urojmë shërim të shpejtë, shëndet të plotë e po ashtu vazhdimësi të rezultateve të mira me Kombëtaren tonë”.

Bernard Challandes u emërua trajner i Kosovës më 2 mars të vitit 2018, para 488 ditëve. Gjatë kësaj kohe ai i ka zhvilluar 13 ndeshje me “Dardanët”, prej të cilave tetë janë fitore dhe pesë barazime. Ai është ende i pamposhtur si trajner i Kosovës.


(Kosova Sot Online)