Juventusi – Higuainit: Nuk kemi vend në skuadër për ty

  • 03 July 2019 - 15:39
Juventusi – Higuainit: Nuk kemi vend në skuadër për ty

Drejtuesit e Juventusit i kanë treguar sulmuesit argjentinas, Gonzalo Higuainit, se ai nuk është më i nevojshëm për projektin e klubit dhe se mund të largohet nga skuadra e “Zonjës së Vjetër” gjatë këtij afati kalimtar të verës.

Sulmuesi argjentinas u kthye në Torino këtë verë pasi që Chelsea vendosi as të mos e blejë atë në mënyrë permanente e as të mos ia zgjasë kontratën për huazim.

Për këtë arsye, ai pritej të ribashkohej me Maurizio Sarrin në stadiumin “Allianz”, pasi që kishte luajtur nën urdhrat e trajnerit italian edhe gjatë kohës së tij në Napoli dhe së fundi në Chelsea.

Mirëpo Cristiano Ronaldo do të jetë sulmuesi kryesor i Juventusit për sezonin e ardhshëm dhe transferimi i Mauro Icardit nga Interi është ende shumë i mundshëm. Për këto arsye, Goal.com raporton se drejtuesit e Juventusit i kanë thënë Higuainit përmes telefonit se nuk kanë vend në skuadër për të.

Juventusi e paguan Higuainin 7.5 milionë euro në vit dhe kjo pagë vlerësohet si shumë e madhe nga bardhezinjtë për një lojtar i cili nuk mund ta japë më të mirën e vet më për klubin.

Për më tepër, paratë e fituara nga shitja e Higuainit do të mundë t’i shërbenin Juventusit edhe për ta transferuar Icardin nga Interi.

Deri më tani, Aaron Ramsey dhe Adrien Rabiot i janë bashkuar Juventusit si transferime të lira, ndërsa një marrëveshje besohet se është shumë afër kompletimit edhe për mbrojtësin e Ajaxit, Matthijs De Ligtin.

Gianluigi Buffon pritet gjithashtu të nënshkruajë kontratë njëvjeçare me Juventusin, duke u kthyer sërish te klubi ku bëri emër, pas 12 muajve me Paris Saint-Germainin.

Nëse Higuaini arrin ta gjejë një klub të ri këtë verë, ai do të largohet nga Juventusi, të cili iu bashkua në verën e vitit 2016 për 90 milionë euro, që në atë kohë e theu rekordin për lojtarin më të shtrenjtë në Serie A.

Ai i ka bërë gjithsej 105 paraqitje në të gjitha garat për kampionin italian, duke i shënuar 55 gola, para se të huazohej gjatë sezonit të kaluar në Milan dhe Chelsea. 

(Kosova Sot Online)