Trajnerja e Afganistanit: Sjellja e presidentit të FIFA-s është neveritëse

  • 03 July 2019 - 16:06
Trajnerja e Afganistanit: Sjellja e presidentit të FIFA-s është neveritëse

Trajnerja e ekipit kombëtar të vajzave të Afganistanit, Kelly Lindsey, thotë se ajo është e neveritur nga mënyra se si presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, u soll në lidhje me rastet e abuzimeve seksuale. Ajo i ka bërë thirrje Infantinos ta kryejë punën e vet.

FIFA e pezulloi përjetësisht nga futbolli Keramuddin Karimin këtë muaj, pasi që ai i kishte abuzuar disa herë futbollistet e ekipit kombëtar të Afganistanit gjatë kohës sa ishte president i Federatës së Futbollit të Afganistanit.

Disa futbolliste të skuadrës së Afganistanit i bënë publike akuzat e tyre ndaj Karimit, duke filluar nga sulmet fizike deri te ato seksuale. Akuzat e tyre mund t’i lexoni duke klikuar këtu.

Por, trajnerja e Afganistanit Kelly Lindsey është e zemëruar që vetëm Karimi po dënohet për këto krime.

“Ata nuk e hetuan askënd tjetër përpos presidentit, ata nuk i shkuan kësaj çështjeje më thellë sesa lideri kryesor”, u shpreh Lindsey.

“Jam e neveritur nga Infantino si njeri dhe si lider i sportit tonë. Ai nuk duhet të jetë president i FIFA-s, sipas meje. Unë e respektoj Kupën e Botës së vajzave, e respektoj punën që FIFA e bën për futbollin”.

“Por, unë nuk e respektoj mënyrën se si ky organ po qeveriset për momentin. Ne ua kemi bërë atyre të qartë dhe ua kemi dhënë të gjitha mundësitë për ta bërë gjënë e duhur dhe ta dëshmojmë se kanë integritet”.

“Ne ua dhanë mundësinë e përsosur për të guxuar të shkëlqejnë. Ti nuk je duke e respektuar futbollin e vajzave dhe nuk je duke i respektuar lojtaret, trajneret, menaxheret dhe gjyqtaret”.

Sky Sports e ka kontaktuar Infantinon dhe zëdhënësit e FIFA-s për t’iu përgjigjur këtyre deklaratave të trajneres së Afganistanit, mirëpo asnjëri nga ta nuk ka dashur të komentojë. 

(Kosova Sot Online )