Kosovare Asllani lëndohet në gjysmëfinale të Kupës së Botës

  • 04 July 2019 - 08:13
Kosovare Asllani lëndohet në gjysmëfinale të Kupës së Botës

Përveç që e humbi mundësinë të luajë në finale të Kupës së Botës së vajzave këtë vit, Kosovare Asllani mund ta ketë humbur mundësinë për të luajtur edhe në përballjen për medalje të bronztë me Anglinë.

Mbrëmë në orën 21:00, Holanda e mposhti Suedinë me rezultat 1:0 në gjysmëfinale të Kupës së Botës, duke bërë kështu që Kosovare Asllani dhe bashkëlojtarët e saj ta humbin mundësinë për medaljen e artë dhe trofeun e kësaj gare.

Të dielën në orën 17:00, Holanda do ta sfidojë SHBA-në për titullin e kampiones botërore, ndërsa Suedia do të përballet një ditë më parë me Anglinë, në garën për vendin e tretë të Kupës së Botës.

Megjithatë, futbollistja me origjinë shqiptare, Kosovare Asllani, mund të mos luajë as edhe në këtë përballje të së shtunës sepse ajo të mërkurën e pësoi një lëndim afër fundit të ndeshjes me Holandën.

Mesfushorja e Manchester Cityt, Asllani, ra në një pozitë të papërshtatshme dhe dyshohej se kishte lëndim në kokë. Kjo bëri që ajo as të mos mundë të ecë dhe stafi mjekësor e largoi nga fusha me barelë.

Image

Ajo u dërgua menjëherë në spital për t’i bërë ekzaminimet mjekësore dhe ekipi kombëtar i Suedisë ende shpreson se ajo do të mundë të luajë të shtunën kundër Anglisë.

(kosova Sot Online )