Pulisici e dërgon SHBA-në në finale të Gold Cup

  • 04 July 2019 - 08:53
Pulisici e dërgon SHBA-në në finale të Gold Cup

Kampionia në fuqi e Gold Cup, SHBA-ja, e siguroi një vend në finale të Gold Cup kundër Meksikës, pasi e mposhti Xhamajkën me rezultat 3:1 në gjysmëfinale të këtij kampionati kontinental të Amerikës Veriore, Qendrore dhe regjionit të Karaibeve.

Golat e shënuara nga Weston McKennie dhe Christian Pulisic e dërguan SHBA-në në finalen që do të zhvillohet të dielën, pas triumfit në gjysmëfinale që u ndërpre për shkak të motit në Nashville, transmeton Gazeta Express.

Pas golit të parë nga McKennie, ndeshja e së mërkurës u ndal për një orë e gjysmë për shkak të vetëtimave, mirë SHBA-ja nuk ishte e shpërqendruar kur ndeshja rifilloi pasi që Pulisici shënoi gol vetëm shtatë minuta më vonë.

SHBA-ja e pësoi golin e parë në këtë garë 21 minuta para fundit të ndeshjes së mbrëmshme, kur Shamar Nicholson hyri në ndeshje nga stoli dhe shënoi gol. Por, Pulisic e ktheu epërsinë prej dy golash sërish në minutën e 87-të. Pas dhimbjes së moskualifikimit në Kupën e Botës 2018, rindërtimi i SHBA-së nën drejtimin e Berhalter po vazhdon me rezultate të mira. Meksika do të tentojë t’i japë fund kësaj forme, në atë që do të jetë hera e parë që këto dy kombëtare takohen në finale që nga viti 2011.

Skuadra e SHBA-së ishte mjaft mbresëlënëse gjatë ndeshjes. Përkundër kritikave në ndeshjet e kaluara, mesfushori veteran Bradley ishte shumë i saktë dhe i qetë në pasime. Ndërsa, McKennie i Schalkes e dëshmoi pse ai vlerësohet aq shumë me golin që e shënoi dhe disa raste të mira që i krijoi.

Për shumicën e ndeshjes, Xhamajka mbeti duke e shikuar topin. Mirëpo, përkundër që patën më pak raste të krijuara për të shënuar gola, xhamajkanët ia bënë punën e vështirë gjashtë-herë kampionëve, ashtu siç bënë edhe në finalen e vitit 2017.

(Kosova Sot Online )