Juventusi i bën ofertë zyrtare Ajaxit për De Ligtin

  • 04 July 2019 - 10:05
Juventusi i bën ofertë zyrtare Ajaxit për De Ligtin

Juventusi e ka bërë ofertën e parë zyrtare për kapitenin e Ajaxit, Matthijs de Ligtin, në vlerë prej 65 milionë eurove, sipas Sky Sports Italia.

Oferta e propozuar e Juventusit do të bënte që Ajaxi t’i marrë 55 milionë eurot e para menjëherë, ndërsa 10 milionë të tjerat t’i marrë në formë të shtesave.

Nëse Ajaxi e pranon këtë ofertë të kampionit italian, atëherë Juventusi do të mund ta zyrtarizonte së shpejti transferimin e holandezit, pasi që klubi tashmë ka arritur marrëveshje pesëvjeçare me menaxherin e De Ligtit, Mino Raiolan. De Ligti do të paguhej 12 milionë euro në sezon. 

Megjithatë, Juventusi s’do ta ketë të lehtë transferimin e holandezit, pasi që Ajaxi i kërkon 75 milionë për kapitenin e skuadrës dhe tashmë ka marrë ofertë me këtë shumë nga Paris Saint-Germaini.

Juventusi nuk po ia ofron Ajaxit një shumë të tillë pasi që drejtuesit e klubit italian besojnë se edhe vetë De Ligti e dëshiron me ngulm transferimin te “Zonja e Vjetër”.

Gjiganti italian tashmë ka bërë të ditur se portieri 41-vjeçar Gianluigi Buffon është duke i kryer testet mjekësorë në klub dhe së shpejti pritet të zyrtarizohet kthimi i tij në Allianz, pas një viti me PSG-në.

(Kosova Sot Online)