Ndërmarrës, mjekë, punëtorë, policë e studentë, kundërshtarët e Feronikelit e Prishtinës në Evropë

  • 04 July 2019 - 17:00
Ndërmarrës, mjekë, punëtorë, policë e studentë, kundërshtarët e Feronikelit e Prishtinës në Evropë

Pak më shumë se një muaj pas përfundimit të sezonit 2018/19, edicioni i ri i Champions Leagues ka nisur në fund të qershorit. Klube gjysmë-profesioniste i shijojnë momentet e tyre të lavdisë, ndërsa në këtë fazë mori pjesë edhe Feronikeli. Ndërmarrës, mjekë, policë, punëtorë e studentë: një pjesë e ekipeve që morën pjesë në fazën parakualifikuese të Championsit e kanë nga një punë tjetër krahas futbollit, e cila ua pamundëson atyre të quhen futbollistë profesionistë

Sezoni 2018/19 i Champions Leagues u mbyll me triumfin e Liverpoolit, i cili e mposhti Tottenhamin në finalen e 1 qershorit. Mirëpo, pa kaluar mirë një muaj, ka nisur edicioni i ri i këtij kompeticioni prestigjioz, me pjesëmarrjen e ekipeve gjysmë-profesioniste.

Në fakt, faza parakualifikuese e Championsit ka nisur në fund të qershorit, ndërsa pjesë e saj ishte edhe kampioni i Kosovës, Feronikeli.

Në mesin e ekipeve pjesëmarrëse ishin edhe ato nga San Marino, Gjibraltari e Andorra.

Natyrisht, nuk u bë një futboll i madh apo interesant, pasi pjesa dërrmuese e futbollistëve që luajtën në këtë fazë ishin gjysmë-profesionistë.

Për shembull, Lincoln Red Imps vjen nga Gjibraltari dhe në gjirin e tij kishte lojtarë vëllezër, por edhe punëtorë: portieri Loro Soler është inxhinier i informatikës dhe në vitin 2018 e pati një ditë feste kur e zbuloi se ishte portieri më pak i mposhtur në Evropë.

Joseph Chipolina është ndërmarrës, ndërsa vëllai i tij, Roy është doganier, shkruan e përditshmja italiane “Il Foglio”.Mirëpo, idhull mbetet Lee Casciaro, i cili në vitin 2016 i kishte shënuar hiç më pak se Celticut në rrethin e parë kualifikues të Championsit.

Gjatë ditës, ai e kryen punën e policit.

Ky ekip u eliminua këtë vit pasi humbi nga Feronikeli, skuadër kosovare që ishte vendëse e të gjitha ndeshjeve të fazës parakualifikuese.

FC Santa Coloma është nga Andorra dhe lojtarët luajnë për disa qindra euro në muaj.

Aty, idhull i tifozëve është Eloy Casals, i cili është portier që nga viti 2014 dhe kishte shkuar deri në sulm në ndeshje me ekipin armen Banants duke e shënuar golin vendimtar për ta sjell ekipin e tij për herë të parë në rrethin e parë kualifikues.

Në garë ishte edhe ekipi nga San Marino, Tre Penne.

Në këtë ekip, përpos “yjeve” Gai e Palazzi, luajnë edhe një futbollist 44 vjeçar dhe një 50 sosh.

Tash niveli i kompeticionit rritet gjithnjë e më shumë pasi i nisin garat klubet më të mëdha.

Feronikeli në rrethin e parë do të luajë me ekipin The New Saints, me shpresën se do ta shkruajë historinë duke u bërë skuadra e parë kosovare që kalon në rrethin e dytë kualifikues të Championsit.

Edhe edicioni i ri i Europa Leagues tashmë ka nisur me 14 skuadra në fushë nga Uellsi, Luksemburgu, Irlanda Veriore, Irlanda, San Marino, Ishujt Faro, Kosova, Andorra e Gjibraltari. Kosovën në këtë garë e përfaqësoi FC Prishtina, e cila u eliminua turpërisht nga ekipi St Joseph’s në fazën parakualifikuese.

Në mesin e ekipeve të kësaj faze është edhe Cardiff Metropolitan University FC nga Uellsi, i cili përbëhet nga studentë universitarë, master e PhD, i cili për herë të parë është kualifikuar në këtë kompeticion pasi në muajin maj e kishte mundur përmes penalltive ekipin Bala Town.

Profesioni i tyre është e qartë se është të studiojnë: nuk e marrin asnjë euro nga aktiviteti i tyre sportiv. Madje, duhet t’i paguajnë 150 funte për kokë në fillim të sezonit për t’u bërë pjesë e skuadrës.

Dhe, as shuma prej 200 mijë funtesh që klubi i fiton nga kualifikimi në Europa League nuk shkon në llogari të futbollistëve: një pjesë e parave është shfrytëzuar për ta rregulluar fushën për ndeshjen në shtëpi ndaj ekipit nga Luksemburgu, Progres Niedercorn.

Kupat evropiane nisin në këtë mënyrë.

(Kosova Sot Online )