Blatter e padit FIFA-n për 60 orët luksoze të konfiskuara

  • 05 July 2019 - 08:33
Blatter e padit FIFA-n për 60 orët luksoze të konfiskuara

Edhe pse aktualisht është duke e vuajtur një pezullim gjashtëvjeçar nga futbolli për shkak të një skandali korrupsioni në vitin 2015, ish-presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, e ka filluar një betejë të re me shtëpinë qeverisëse të futbollit botëror.Në një intervistë për BBC-në, 83-vjeçari zbuloi se është duke e paditur FIFA-n për dëmtim moral dhe është duke i kërkuar 60 orët luksoze të konfiskuara nga ta.

Pas 17 vjetëve në kryesim të FIFA-s, Blatteri u përjashtua në vitin 2015, pasi u zbulua se i kishte bërë disa pagesa për ish-shefin e UEFA-s, Michel Platinin. Të dy këta persona i kanë mohuar këto akuza.

Hetime kriminale u hapën ndaj edhe tij në Zvicër, mirëpo asnjë hap nuk është ndërmarrë ndaj tij edhe pas katër vjetëve.

“Janë bërë katër vjet dhe asgjë nuk ka ndodhur. Ky rast duhet të lihet sepse as nuk është rast madje”, shtoi Blatter për BBC.

“Nuk mund të ketë akuza, përndryshe do të kishte filluar procesi gjyqësor shumë kohë më parë. Por, unë nuk jam shumë i sigurt se një gjë e tillë do të ndodhë. Dua t’i mbroj të drejtat e mia, sa jam gjallë”.

“Nuk e kam humbur shpirtin tim luftarak. Jam duke jetuar në paqe me veten, por familja ime ka vuajtur. Ata kanë vuajtur më shumë sepse vuaja unë. Mbesa ime ngacmohej në shkollë dhe kur i mbushi 14 vjet, u detyruam ta largojmë nga shkolla.

Në mesin e gjërave të cilat i janë konfiskuar, Blatteri është veçanërisht i dëshpëruar për rreth 60 orët luksoze të tij.

“Ato janë orët e mia, kthemini orët e mia. Janë të rëndësishme për mua. Unë kam punuar në industrinë e orëve dhe e kisha bërë koleksionin tim. Pse po luftojnë për orët e mia? Ata nuk kanë respekt”.

(Kosova Sot Online )