Oferta e Real Madridit për Man Unitedin: 78 mln euro, Bale dhe Kroos për Pogban

  • 05 July 2019 - 08:46
Oferta e Real Madridit për Man Unitedin: 78 mln euro, Bale dhe Kroos për Pogban

E përditshmja angleze Express raporton se Manchester Unitedi jo vetëm që mund t’i fitojë 78 milionë euro për shitjen e Paul Pogbas në Real Madrid, mirëpo klubi madrilen ia ka ofruar edhe Gareth Bale dhe Toni Kroosin si pjesë të marrëveshjes.Mesfushori francez ka qenë i lidhur me një transferim larg Old Traffordit, pasi që muajin e kaluar e pranoi se ky mund të jetë momenti i përsosur për të për ta përjetuar një sfidë të re.

Real Madridi dhe Juventusi janë dy klubet që janë duke luftuar për t’i siguruar shërbimet e 26-vjeçarit, i cili vlerësohet 160 milionë funte, pasi në vitin 2016 u kthye në Manchester United për 89 milionë funte.

Gjigantët e Premierligës nuk kanë pranuar ta negociojnë shitjen e Pogbas deri më tani dhe AS pretendon se drejtuesit e klubit anglez i kanë lënë drejtuesit e klubit madrilen dy herë të braktisur në takime për negociata.

Edhe pse Juventusi shihet si klubi favorit për të qenë destinacioni i radhës për Pogban, Real Madridi nuk ka hequr dorë pasi që trajneri Zinedine Zidane është tifoz i madh i mesfushorit të Manchester Unitedit.

Për këtë arsye, “Los Blancos” janë të gatshëm të paguajnë 78 milionë euro si dhe t’ia japin Kroosin e Bale Manchester Unitedit, vetëm sa për ta marrë në skuadër Pogban për sezonin e ardhshëm.

Pogba nuk është kthyer ende në stërvitje me Manchester Unitedin për turneun parasezonal. Postimet e tij në llogarinë e vet në Instagram tregojnë se ai është ende me pushime në Nju Jork.

(Kosova Sot Online )