335 miliardë euro pasuri, sheiku zbarkon në Itali për të blerë Milanin

  • 05 July 2019 - 09:40
335 miliardë euro pasuri, sheiku zbarkon në Itali për të blerë Milanin

Mëngjesin e djeshëm, një lajm tronditi bursën e Milanos. Sipas agjencisë “Adnkronos”, klubi i Milanit mund të ndryshojë për herë të tretë radhazi pronar në tri vitet e fundit. Në prill të 2017-ës, Silvio Berluskoni shiti kuqezinjtë për 740 milionë euro te Jonghong Li, i cili, 14 muaj më pas, humbi pronësinë e klubit duke mos respektuar këstin e kredisë ndaj fondit “Elliott”.

Amerikanët u përfshinë në minutat e fundit të merkatos dhe u munduan të ndërtonin një ekip të denjë për vendet e para, por ëndrra e tyre u shua me “Djallin”, i cili nuk shkoi më larg se vendi i pestë.

Me zonën Champions një pikë larg, planet e amerikanëve pësuan një ridimensionim, që përveçse disa largimesh veteranësh, po prekin edhe strategjinë afatshkurtër të klubit, duke qenë se merkato e sivjetme po karakterizohet nga afrime me kosto dhe moshë të ulet. 

INVESTIMI – Duke qëndruar te lajmi i shitjes, agjencia e lajmeve “Adnkronos” njoftonte se drejtuesit më të lartë të Milanit duhet të takonin gjatë ditës së djeshme një grup përfaqësuesish nga “Fondi i investimeve të Katarit”. Lajmi u përgënjeshtrua në kohë rekord, por zërat për një interes të sheikëve ndaj kuqezinjve vijuan.

I kryesur nga sheiku Abdulla bin Mohamed bin Saud Al-Thani, ky fond ka një pasur prej 335 miliardë eurosh dhe blerja e kuqezinjve që vlerësohen nga “Elliott” rreth 700-800 milionë euro do të ishin një investim krejtësisht brenda mundësive. Përveç pagesës për shumicën e aksioneve kuqezi, arabët do të “trashëgonin” edhe bilancet negative të Milanit, që sot përllogariten rreth 400 milionë euro.

Përgënjeshtrimi i klubit italian vjen duke përmendur faktin se “Elliott” ka plane disavjeçare, por për një fond që synon përfitimet, 1 miliard euro mjaftojnë për të hequr dorë nga “ëndrra” për të ringritur “Djallin”.

(Kosova Sot Online)