Mourinho: Ka mundësi që do të kthehem në Serie A

  • 05 July 2019 - 10:08
Mourinho: Ka mundësi që do të kthehem në Serie A

Trajneri portugez Jose Mourinho, i cili ka mbetur pa punë që kur u shkarkua nga pozita e trajnerit të Manchester Unitedit, e ka pranuar se nuk do të jetë e pamundur që ai të kthehet në Serie A.

Karriera e portugezit në stadiumin “Old Trafford” përfundoi në dhjetor të vitit 2018, pas dy sezoneve e gjysmë në drejtim të “Djajve të kuq”.

Ky ishte posti i tij i tretë në Premierligë, pasi që më parë kishte qenë dy herë i emëruar në pozitën e trajnerit të Chelseat.

Gjatë karrierës së tij, Mourinho ka kaluar kohë edhe në vendlindjen e tij me Porton, në Itali me Interin dhe në Spanjë me Real Madridin.

Ende mbetet të shihet se ku do të ndërmarrë Mourinho sfidën e radhës, mirëpo 56-vjeçari e ka shprehur dëshirën për t’u kthyer në detyrën e trajnerit sërish këtë verë.

Ai është përfolur për emërimin në disa klube të ndryshme, mirëpo tani pozitat që konsideroheshin më favorite veçse janë zënë nga trajnerë të tjerë – Juventusi e ka emëruar Maurizio Sarrin, ndërsa Chelsea e ka sjellë Frank Lampardin si zëvendësues të italianit.

Duket se opsionet janë të kufizuara për Mourinhon, veçanërisht duke marrë parasysh nivelin e futbollit në të cilin ai dëshiron të punojë. Megjithatë, ai ka bërë të ditur se mund të kthehet edhe një herë në Itali.

“E ardhmja? Gjithmonë në futboll dhe gjithmonë në nivelin më të lartë. Italia? Ka mundësi”, u shpreh Mourinho për Sky Sports Italian. 

Mourinho bëri të ditur në maj, kur sezoni në ligat e futbollit evropiane po shkonte drejt fundit, se dëshiron të kthehet në postin e trajnerit të ndonjë klubi në korrik.

“Unë kam shumë cilësi dhe njëra prej tyre është që i respektoj klubet me trajnerët e tyre. Unë kurrë nuk kam thënë se ky klub më ka kërkuar apo më ka kontaktuar”, ishte shprehur Mourinho për RMC.

Mourinho ka ende kohë për ta gjetur ndonjë klub para se të fillojë sezoni i ri, mirëpo kjo kohë është e kufizuar, veçanërisht pasi që ai ka thënë se dëshiron ta ketë të gjithë verën për ta përgatitur skuadrën e tij të re.

(Kosova Sot Online)