Ribery i shkruan mesazh prekës Robbenit pas pensionimit

  • 05 July 2019 - 10:51
Ribery i shkruan mesazh prekës Robbenit pas pensionimit

Franck Ribery e ka publikuar një mesazh prekës për ish-bashkëlojtarin e tij në Bayern Munich, anësorin Arjen Robben, i cili dje e konfirmoi pensionimin e tij nga karriera e tij si futbollist profesionist.

Anësori gjerman, 35-vjeçar , u largua nga kampioni gjerman në qershor, pasi i përfundoi kontrata, dhe të enjten bëri të ditur se i ka dhënë fund karrierës së tij në futboll.

Pas kësaj, Ribery, i cili gjithashtu u largua nga Bayern Munichu në fund të sezonit 2018/19, e shfrytëzoi llogarinë e tij në Twitter për t’ia dërguar një mesazh ish-bashkëlojtarit të tij.

“Thank you – Danke – Merci – Danjewel [faleminderit] @ArjenRobben! Bashkëlojtari më i mirë në Bayern që mund ta kem imagjinuar. #Robbery [Robben+Ribery] nuk do të harrohet asnjëherë”, shkroi francezi 36-vjeçar.

“Çfarë karriere miku im, tani shijoje kohën tënde jashtë fushës”.

Dyshja Robben dhe Ribery u bë njëra ndër partneritet të sulmit më legjendare në botën e futbollit, gjatë kohës së tyre në Bayern Munich.

Robben e shpenzoi pothuajse një dekadë në Gjermani dhe i bëri mbi 200 paraqitje për Bayern Munichun, duke i fituar tetë tituj të Bundesligës, pesë tituj të Kupës së Gjermanisë dhe një titull të Ligës së Kampionëve.

Robben njoftoi se vendimi për t’i dhënë lamtumirën futbollit profesionist ka qenë më i vështiri në jetën e tij. 

“Kam menduar shumë në javët e fundit. Siç e dini të gjithë, nuk u nguta për ta marrë vendimin për të ardhmen time pas ndeshjen së fundit me Bayern Munich. Dhe kam vendosur t’i japë fund karrierës si futbollist profesionist”, tha Robben në një konferencë për media.

“Pa dyshim, ky është vendimi më i vështirë që më është dashur ta marrë në karrierën time. Një vendim gjatë të cilit u ndeshen zemra me mendjen”, shtoi ai.

Ngjashëm me Robbenin, edhe Ribery e shijoi një karrierë mjaft të suksesshme me klubin gjerman, duke i bërë 250 paraqitje për ta dhe i fitoi shumë tituj, përfshirë këtu Bundesligës, Kupën e Gjermanisë dhe Ligën e Kampionëve.

(Kosova Sot Online)