Kosovare Asllani, titullare në ndeshjen kundër Anglisë në Kupën e Botës

  • 06 July 2019 - 16:20
Kosovare Asllani, titullare në ndeshjen kundër Anglisë në Kupën e Botës

Përkundër që e pësoi një lëndim në kokë në ndeshjen e kaluar, në gjysmëfinale kundër Hollandës, Kosovare Asllani është rikuperuar në kohë për të luajtur nga minuta e parë në ndeshjen kundër Anglisë.

Luftën për medaljen e bronztë të Kupës së Botës së vajzave Anglia dhe Suedia do ta nisin sot në orën 17:00, në stadiumin “Allianz Riviera” në Nicë të Francës.

Suedia kishte shpresuar se do të luajë në finale të Kupës së Botës, mirëpo në gjysmëfinale u mposht nga Holanda. 

Shpresat e Suedisë për ta marrë të paktën medaljen e bronztë nga kjo garë u zvogëluan me lëndimin që e pësoi futbollistja me origjinë shqiptare, Kosovare Asllani, mirëpo ajo u rikthye në kohë dhe sot shpreson ta shtojë edhe një arritje të madhe në karrierën e saj.

Me të njëjtin qëllim në këtë ndeshje vijnë edhe vajzat e Anglisë të drejtuar nga legjenda e Manchester United, Phil Neville, të cilat kishin synuar ta fitojnë trofeun e garës këtë sezon.

Mirëpo, ëndrra e tyre nuk u realizua pasi që ato u mposhtën në gjysmëfinale nga kampionet në fuqi, vajzat e SHBA-së.

Formacionet zyrtare të të dy skuadrave:

Image

(Kosova Sot Online)