Jose Mourinho e refuzon ofertën marramendëse prej 100 milionë euro nga Kina

  • 07 July 2019 - 13:43
Jose Mourinho e refuzon ofertën marramendëse prej 100 milionë euro nga Kina

Jose Mourinho e ka hedhur poshtë një ofertë astronomike në vlerë 100 milionë euro nga një klub në Kinë, sipas Sky Sports.

Raportohet se Guangzhou Evergrande ka shprehur gatishmëri ta paguajë trajnerin portugez plot 32 milionë euro në sezon, plus bonuse të ndryshme, në atë që do të ishte oferta më e madhe që i është ofruar ndonjëherë një trajneri në botën e futbollit.

Madje, Mourinho ka pasur të drejtë ta zgjedhë edhe kohëzgjatjen e kontratës në ofertën e klubit kinez.

Ish-trajneri i Interit, Real Madridit, Chelseat dhe Manchester Unitedit, u fotografua me Xu Jiayin, kryetarin miliarder të grupit Evergrande, në muajin prill në Londër. Në atë takim, dyshja kishte diskutuar për këtë temë.

Edhe pse e ka refuzuar ofertën, takimi me Jiayin ka qenë i mirë pasi Mourinho ka mbetur i mahnitur nga interesimi i klubit kinez, sipas Sky.

Portugezi, siç e ka thënë vazhdimisht, dëshiron ta vazhdojë karrierën në futbollin evropian, duke e drejtuar një klub të madh dhe synon ta fitojë trofeun e tretë në Ligën e Kampionëve dhe titullin e nëntë në ligë në vende të ndryshme.

(Kosova Sot Online)