Everton paralajmëron transferimin në Evropë: “Largimi nga Gremio mund të jetë afër”

  • 08 July 2019 - 21:55
Everton paralajmëron transferimin në Evropë: “Largimi nga Gremio mund të jetë afër”

Everton dëshiron t’i bashkohet Milanit sipas “A Bola”, por Kuqezinjtë duhet t’i derdhin së paku 40 milionë euro në arkat e Gremios.

Everton Sousa Soares, i njohur shkurt si Everton ose Everton Cebolinha, ka paralajmëruar largimin nga Gremio.

Sipas “A Bola”, Milani po interesohet për 23-vjeçarin, i cili është joshur me ofertën e shtatë herë kampionëve të Evropës, por problemi qëndron te çmimi.

Ai ka klauzolë lirimi 60 milionë, ndërsa vështirë se Gremio do të heqë dorë nga lojtari për një ofertë nën 40 milionë euro.

Sido që të jetë, hapi pozitiv është se Everton ka paralajmëruar tashmë largimin.

“Largimi nga Gremio mund të jetë afër”, tha shkurtimisht Everton pas triumfit me Brazilin në Kupën e Amerikës, derisa bëri të ditur se do të ulet me agjentin e tij për t’i shqyrtuar ofertat.

Everton shkëlqeu në Kupën e Amerikës, ku fitoi çmimin e golashënuesit më të mirë si dhe u shpall futbollisti i finales, pasi realizoi në fitoren 3-1 kundër Perusë.

23-vjeçari ka bërë 210 paraqitje për ekipin e parë të Gremios që nga viti 2014 dhe ka shënuar 49 gola.

(Kosova Sot Online)