Feronikeli synon ta vazhdojë rrugëtimin drejt Championsit me fitore ndaj kampionit të Uellsit

  • 09 July 2019 - 08:55
Feronikeli synon ta vazhdojë rrugëtimin drejt Championsit me fitore ndaj kampionit të Uellsit

Kampioni i Kosovës, Feronikeli, do të përballet sonte në orën 20:00 me kampioni i Premierligës së Uellsit, The New Saints, në kuadër të rrethit të parë kualifikues për në Ligën e Kampionëve.

Feronikeli dhe The New Saints do të luftojnë për një vend në kuadër të rrethit të dytë kualifikues, që do ta dërgojë fituesin një hap më afër grupeve të Ligës së Kampionëve.

Për ta siguruar këtë vend, Feronikeli do të duhet të tentojë që të marrë rezultat sa më të mirë në ndeshjen e sotshme, që zhvillohet në Uells, dhe pastaj ta sigurojë kualifikimin në ndeshjen kthyese, që do të zhvillohet në Kosovë.

Në rrethin paraeliminator për kualifikim në Ligën e Kampionëve, Feronikeli u tregua i suksesshëm në dy ndeshjet kundër Lincoln Red Imps dhe Santa Colomas. Ndeshjen e parë, kundër Red Imps, e fitoi me rezultat 1:0, ndërsa atë kundër Santa Colomas e fitoi me rezultat 2:1, përkundër që ishte me dhjetë lojtarë në fushë.

Në anën tjetër, The New Saints është kualifikuar drejtpërdrejt në këtë rreth të parë kualifikues dhe përballja me Feronikelin do të jetë e para në rrugëtimin drejt Ligës së Kampionëve të sezonit 2019/20.

Feronikeli merr pjesë në kualifikimet për Ligën e Kampionëve pasi që u shpall kampion i Ipko Superligës së Kosovës.

(Kosova Sot Online  )