New York Times: Lavdi kampioneve më pak të paguara

  • 09 July 2019 - 09:18
New York Times: Lavdi kampioneve më pak të paguara

Kolumnisti i New York Times, David Leonhardt, e ka publikuar një artikull për suksesin e ekipit kombëtar të vajzave të SHBA-së, të cilat përkundër arritjeve fitojnë shumë më pak sesa ekipi i djemve. Artikullin e tij mund ta lexoni në vijim. Gratë e SHBA-së e fituan titullin e katërt të Kupës së Botës dje dhe nëse nuk e keni parë golin e Rose Lavelle ende, duhet ta shikoni atë, shkruan New York Times. Shumica e vëmendjes ishte në skuadrën që fitoi me rezultat 2:0 në finale të Kupës së Botës kundër Holandës. Por, pavarësisht a jeni apo jo tifoz i sportit, ju me siguri keni dëgjuar për betejën mes lojtareve dhe Federatës së Futbollit të SHBA-së sa i përket pagave.

Ekipi i grave fiton shumë më pak para sesa skuadra e burrave dhe futbollistet e kanë paditur Federatën për këtë ndryshim. Ato gjithashtu e akuzojnë Federatën se iu ka ofruar kushte më të këqija për t’u stërvitur, si trajtimet mjekësore, kampet stërvitore dhe kurset për trajneret.

Në fund të ndeshjes të së dielës, turma e pranishme në stadiumin në Francë, ku po zhvillohet finalja, brohoriste: “Pagë të barabartë, pagë të barabartë”.Federata e Futbollit e SHBA-së i ka mbrojtur vendimet për pagat e ofruara për futbollistet duke thënë se ekipet e djemve sjellin më shumë përfitime. Por, në këtë argument ka dy boshllëqe.

Së pari, ky argument nuk ka qenë i saktë gjatë kohës së fundit. Ashtu siç raportoi The Wall Street Journal muajin e kaluar, “Nga viti 2016 në vitin 2018, ekipi i vajzave i ka sjellë 50.8 milionë dollarë përfitim, në krahasim me 49.9 milionë dollarët e sjella nga djemtë”. Këto të dhëna janë nxjerrë nga raporti i auditimit i Federatës së Futbollit të SHBA-së.

Së dyti, vajzat e përfshira në sport janë përballur që disa dekada apo shekuj me diskriminim. Deri në vitet e 70-ta, shkollat e mesme dhe kolegjet preferonin të mos krijonin ekipe të vajzave dhe ato që e bënin një gjë të tillë, nuk iu ofronin kushte mjaftueshëm të mira.

Vajzave që donin të përfshiheshin në sport shpeshherë u thuhej – nga prindërit, mësuesit dhe shokët – se kjo karrierë nuk ishte për ato. Dhe përderisa diskriminimi është zvogëluar, ende nuk është zhdukur.

Për shkak të arritjeve të vajzave të SHBA-së, Federata duhet ta largojë këtë dallim në paga mes të dyja skuadrave. E vetmja arsye pse vajzat në sport kanë marrë më pak vëmendje dhe para është për shkak të historisë së gjatë të diskriminimit.

Në vend se ta përmirësojë këtë gabim historik, Federata e Futbollit e SHBA-së është duke e përjetësuar atë.

(Kosova Sot Online )