Video: Zënka e Pogbas dhe Lingardit në stërvitje

  • 09 July 2019 - 10:01
Video: Zënka e Pogbas dhe Lingardit në stërvitje

Paul Pogba, i pavendosur për të ardhmen e tij, ka shkaktuar shumë pakënaqësi në Old Trafford, dhe së fundi u publikuan edhe pamjet e një zënkë me fjalë me Jesse Lingardin, gjatë stërvitjes së parë në turneun parasezonal.

“Djajtë e kuq” arritën në Perth të Australisë, pas një fluturimi 16-orësh, para se ta bënin stërvitjen e parë në përgatitje për sezonin e ri, 2019/20. 

Por, Manchester Unitedi e publikoi një video në rrjetin social Twitter që ka ngjallur një debat në mesin e tifozëve pasi që aty shihej Pogba, 26-vjeçar, dhe Lingardi duke diskutuar me zemërim me njëri-tjetrin.

Pogba ia tha disa fjalë Lingardit të pakënaqur, përderisa ky i fundit po i afrohej francezit. Megjithatë, qendërmbrojtësi Victor Lindelof i ndau ata duke e tërhequr mesfushorin francez me krahun e tij.

Pogba e pranoi gjatë pushimit veror se ky mund të jetë momenti i duhur për ta gjetur një sfidë të re diku tjetër – komente të cilat u vijuan me komentet e agjentit të tij, Mino Raiolas, i cili tha se ai është në proces për t’ia gjetur një klub të ri francezit.

Real Madridi i Zinedine Zidanit dhe ish-klubi i tij, Juventusi, kanë qenë dy klubet që kanë shprehur më së shumti interesim për fituesin e Kupës së Botës, i cili ishte në qendër të vëmendjes gjatë stërvitjes së parë të Manchester Unitedi që prej arritjes në Australi.

Djemtë e Solskjaerit erdhën në Perth të hënën dhe skuadra e kompletoi stërvitjen e para në WAVA në Perth të martën, ku edhe lojtarët e rinj, Aaron Wan-Bissaka dhe Daniel James, morën pjesë.

(Kosova Sot Online)