Feronikeli ofron sqarim për çmimin e biletave të ndeshjes me Milanin

  • 09 July 2019 - 10:54
Feronikeli ofron sqarim për çmimin e biletave të ndeshjes me Milanin

Pas ankesave për çmimet e biletave për ndeshjen mes Feronikelit dhe Milanit në “Fadil Vokrri”, klubi drenicas ka sqaruar se ajo nuk është përgjegjëse për çmimit e biletave, por ka shtuar se klubi italian është shtatë-herë fituese e Ligës së Kampionëve, jo klub amator.

Të hënën filloi shitja e biletave për ndeshjen miqësore ndërmjet Feronikelit dhe Milanit. Biletat do të shiten online për ndeshjen e madhe që do të zhvillohet më 10 gusht në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Çmimi i biletave ishte zbuluar disa ditë më parë. Ato nisin nga 35, 50 euro e deri në 85, 115 dhe 155 euro. Tifozët kosovarë janë ankuar për çmimin e biletave, i cili është konsideruar si mjaft i lartë për standardin kosovar.

Pas këtyre ankesave, Feronikeli ka dalur me sqarim publik.

“Kemi marrë disa mesazhe se çmimi i biletave është i lartë e poashtu ka pasur edhe disa reagime që na shtynë drejt këtij sqarimi, por ne si klub, për fat të keq nuk mund të bëjme asgjë në këtë drejtim”, shkruhet në njoftimin e Feronikelit. 

“Kompania organizuese e këtij eventi të madh futbollistik, AS Events, ka të drejtën ekskluzive të shitjes së biletave dhe si e tillë, çmimet dhe vendosjen e tyre në bazë të ulësve e cakton vetëm ajo”.

“Nuk duhet harruar që nuk kemi të bëjmë me një skuadër amatore, por me shtatë herë fituesin e UEFA Champions League. Është ndeshje historike për Kosovën dhe që asnjëherë më parë nuk ka zbarkuar skuadër më e madhe se Milan në “Fadil Vokrri”, sidomos për takime miqësore”.

“Prandaj, organizimi i kësaj super miqsoreje kërkon angazhim të jashtëzakonshëm dhe i është besuar kompanisë së lartëpërmendur. Ne si klub mund të kërkojmë vetëm mirëkuptim nga ata që nuk mund të sigurojnë një biletë për të parë ndeshjen nga afër”.

(Kosova Sot Online)