ZYRTARE: Aro Muriç huazohet në Nottingham

  • 09 July 2019 - 11:30
ZYRTARE: Aro Muriç huazohet në Nottingham

Manchester City ka vendosur ta huazojë portierin e Kosovës, Arijanet Muriç për një sezon në Nottingham Forest

Arijanet Muriç do ta kalojë sezonin 2019/20 në formë huazimi në Nottingham Forest.

Përfaqësuesi kosovar e kaloi pjesën dërrmuese të sezonit të kaluar si rezervist tek Manchester City pasi në portë i padiskutueshëm ishte Ederson, ndërsa portieri Claudio Bravo ishte i lënduar.

Tash, trajneri Guardiola ka vendosur ta japë hua portierin shqiptar nga Mali i Zi, në mënyrë që të bëjë eksperiencë në ekipin nga Championshipi.

Sezonin e kaluar, Muriç ishte rithirrur tek City pas huazimit në NAC Breda pas vetëm një loje për t’u bërë portieri i dytë pas lëndimit të Bravos.

Ai kishte debutuar tek City në fitoren 3:0 në Carabao Cup ndaj Oxford United.

Muric kishte mbetur i pamposhtur në ndeshjen e dytë me Cityn në fitoren 2:0 ndaj Fulhamit, ndërsa ishte lojtari i ndeshjes në fitoren ndaj Leicester Cityt në çerekfinale.

“Të shkoj në Nottingham Forest do të jetë një mundësi për mua që të fitoj eksperiencë më të madhe në ekipin e parë dhe mezi e pres këtë përvojë të re”, ka thënë Muriç.

(Kosova Sot Online)