ZYRTARE: Muriç e vazhdon kontratën me Cityn

  • 09 July 2019 - 11:47
ZYRTARE: Muriç e vazhdon kontratën me Cityn

Arijanet Muriç e ka vazhduar kontratën me Manchester Cityn, e cila do ta lidhë atë me kampionin anglez deri në vitin 2024. Ndërkohë, portieri i Përfaqësueses së Kosovës është huazuar në Nottingham Forest

Arijanet Muriç e kishte një ditë të ngjeshur sot.

Krahas huazimit për një sezon në Nottingham Forest, portieri i Përfaqësueses së Kosovës e ka vazhduar kontratën me Manchester Cityn edhe për tri vjet.

Me këtë rast, portieri shqiptar nga Mali i Zi do të jetë pjesë e “Citizens” së paku deri në vitin 2024.

“Ta vazhdoj kontratën time aktuale me Cityn për tri vjet të tjerë është diçka e pabesueshme dhe e jashtëzakonshme, një nder i madh për mua”, ka thënë fillimisht Muriç.

“Unë e kam shijuar me të vërtet sezonin 2018/19 dhe të përfshihesha në rrugëtimin tonë të suksesshëm në Carabao Cup ishte një eksperiencë e shkëlqyeshme”, ka shtuar ai. 

“Futbollistët dhe tifozët më kanë bërë të ndihem shuëm mirë dhe pjesë e gjithçkaje këtu. Klubi e ka shfaqur besimin e tij në mua me këtë marrëveshje të re. Dua të jem sa më i mirë të jetë e mundur nën urdhrat e Pep Guardiolës dhe dua po mësoj shumë nga puna që e kam bërë me Ederson e Claudio Bravo në këtë klub”, përfundoi Muriç.

Gjiganti i portës është bërë pjesë e rëndësishme edhe në ekipin e Përfaqësueses së Kosovës.

(Kosova Sot Online)