Senati i SHBA-së: S’do ta financojmë Kupën e Botës nëse vajzat s’paguhen njëjtë si djemtë

  • 10 July 2019 - 08:25
Senati i SHBA-së: S’do ta financojmë Kupën e Botës nëse vajzat s’paguhen njëjtë si djemtë

Ekipi kombëtar i vajzave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka marrë përkrahje të madhe në luftën për barazi gjinore.

Senatori Joe Manchin të martën e prezantoi një projektligj në Senatin e SHBA-së që, nëse kalohet, do të bënte që qeveria federale të mos e financojë Kupën e Botës 2026 nëse Federata e Futbollit amerikane nuk pajtohet t’i paguajë vajzat dhe djemtë njëjtë.

Projektligji sugjeron që të mos jepen paratë që ishte planifikuar të përdoren për mbështetjen e organizimit të Kupës së Botës 2026, që do të zhvillohet në SHBA. Këtu përfshihen paratë e ndara për qytetet nikoqire, organizatat lokale dhe vendore pjesëmarrëse, Federatën e Futbollit të SHBA-së, CONCACAF-in (ekuivalente me UEFA-n, shtëpia e futbollit në Amerikën e Veriut, Qendrore dhe në regjionin e Karaibeve) dhe FIFA-n.

Manchin ia atribuoi këtë projektligj trajneres së Universitetit të West Virginias, Nikki Izzo-Brown, e cila ia kishte sjellë në vëmendje këtë problem dhe shpreson ta largojë diskriminimin e vajzave në botën e sportit.

“Unë e mora një letër nga trajnerja Izzo-Brown e cila i theksoi shqetësimet e saj për vajzat në botën e futbollit. Kjo është e gabuar. Për këtë arsye unë po e paraqes një legjislacion që i kërkon Federatës së Futbollit të SHBA-së t’i paguaj vajzat dhe djemtë e Kombëtares njëjtë para se t’i marrë paratë për organizimin e Kupës së Botës.

SHBA-ja e fitoi titullin e katërt të Kupës së Botës të dielën, në Lyon, duke e mbrojtur titullin e kampiones me fitoren 2:0 ndaj Holandës, pasi i kishte eliminuar disa favorite të tjera si Franca dhe Anglia në fazat paraprake, transmeton Gazeta Express.

Megan Rapinoe, fituesja e Topit të Artë dhe Këpucës së Artë të kësaj gare, kishte folur më parë për dallimin në shpërblime financiare për fituesit e Kupës së Botës në kategorinë e djemve dhe vajzave.

Dallim të madh në paga ka edhe në ligat vendore në SHBA. Vajzat kanë pagë minimale prej 16,539 dollarësh në vit dhe maksimale prej 46,200 dollarësh në vit, ndërsa djemtë e kanë minimalen 56,250 dollarë dhe maksimalen 7.2 milionë dollarë.

Ekipi i grave fiton shumë më pak para sesa skuadra e burrave dhe futbollistet e kanë paditur Federatën për këtë ndryshim. Ato gjithashtu e akuzojnë Federatën se iu ka ofruar kushte më të këqija për t’u stërvitur, si trajtimet mjekësore, kampet stërvitore dhe kurset për trajneret.

Federata e Futbollit e SHBA-së i ka mbrojtur vendimet për pagat e ofruara për futbollistet duke thënë se ekipet e djemve sjellin më shumë përfitime. Por, në këtë argument ka boshllëqe.

Ky argument nuk ka qenë i saktë gjatë kohës së fundit. Ashtu siç raportoi The Wall Street Journal muajin e kaluar, “Nga viti 2016 në vitin 2018, ekipi i vajzave i ka sjellë 50.8 milionë dollarë përfitim, në krahasim me 49.9 milionë dollarët e sjella nga djemtë”. Këto të dhëna janë nxjerrë nga raporti i auditimit i Federatës së Futbollit të SHBA-së.

Argumenti kyç i lojtareve është se ato duhet të fitojnë për t’u paguar, përderisa djemtë fitojnë më shumë sesa to edhe pa u kualifikuar fare në Kupën e Botës. Thirrja ka qenë “pagë e barabartë për punë të barabartë”, por në fakt gratë kanë bërë punë më të madhe.

Në një vit të zakonshëm kalendarik, ato kanë luajtur më shpesh sesa djemtë dhe kanë sjellë më shumë para në Federatë. 

(Kosova Sot Online )