Portieri i Tunizisë e kopjon Kepan, nuk pranon të zëvendësohet

  • 10 July 2019 - 10:46
Portieri i Tunizisë e kopjon Kepan, nuk pranon të zëvendësohet

Portierët rebelë janë bërë “trend” këtë vit. I fundit që e kopjoi Kepa Arrizabalagan e Chelseat ishte portieri i Tunizisë, i cili nuk pranoi të largohet nga fusha, as kur trajneri tentoi ta zëvendësojë atë.

Përballja e 1/8 të finales mes Tunizisë dhe Ganës në Kupën e Kombeve të Afrikës përfundoi me rezultat 1:1 edhe në kohën shtesë dhe fituesin e kësaj përballjeje e caktuan gjuajtjet e penalltive.

Trajneri Alain Giresse kishte planifikuar paraprakisht për gjuajtjet e penalltive dhe dëshiroi ta zëvendësojë Mouez Hassenin me portierin e dytë, Farouk Ben Mustapha.

Kur po afrohej fundi i kohës shtesë, Ben Mustapha ishte veshur me të gjitha pajisjet dhe ishte gati për të hyrë në lojë.

Mirëpo, kur Hassen e pa numrin e tij në tabelën e gjyqtarit të katërt, portieri filloi ta kundërshtojë me dorën e tij me zemërim, duke refuzuar të zëvendësohet.

Në fund, Hasseni vendosi t’ia plotësojë dëshirën trajnerit të tij. Vendimi i tij rezultoi të ketë qenë i duhuri pasi që Tunizia i fitoi penalltitë dhe u kualifikua në çerekfinale.

Ky incident u ktheu në vëmendje të shumë tifozëve incidentin gjatë finales së Carabao Cup në shkurt, mes Chelsea dhe Manchester Cityt.

Trajneri i Chelseat, Maurizio Sarri, kishte dashur ta zëvendësojë Kepa Arrizabalagan me Willy Caballeron për gjuajtjet e penalltive. Mirëpo, Kepa i refuzoi urdhrat e trajnerit para 80 mijë tifozëve të pranishëm në Wembley dhe në fund Chelsea i humbi penalltitë.

(Kosova Sot Online)