Fenerbahce insiston: Nuk do ta transferojmë Ozilin

  • 10 July 2019 - 11:41
Fenerbahce insiston: Nuk do ta transferojmë Ozilin

Fenerbahce e ka distancuar veten nga lajmet që e lidhin klubin turk me transferimin e mesfushorit të Arsenalit, Mesut Ozilin. Fenerbahce thotë se nuk mund ta përballojë në aspektin financiar blerjen e gjermanit me origjinë turke.

Mesut Ozili iu bashkua Arsenalit nga Real Madridi në vitin 2013 dhe edhe pse ai ka qenë kyç për shumicën e kohës në skuadrën e klubit londinez, ai nuk e ka fituar mbështetjen e të gjithë tifozëve për shkak se shumë besojnë se ai nuk punon mjaftueshëm.

Pas një tjetër sezoni zhgënjyes nën drejtimin e Unai Emeryt sezonin e kaluar, mediat angleze raportuan se Arsenali është i gatshëm ta largojë nga skuadra 30-vjeçarin për t’i ulur shpenzimet për paga, mirëpo Fenerbahce insiston se këto janë vetëm spekulime.

“Mesut Ozil, me karrierën dhe statusin e tij, e përfaqëson me sukses vendin tonë jashtë (Ozili ka origjinë nga Turqia). Ai ka vlera të rëndësishme të cilat e identifikojnë edhe Fenerbahcen”, shkruhet në njoftimin e klubit turk.

“Presidenti ynë, Ali Koc, e komentoi këtë çështje edhe në programin WinWin që u mbaj më 20 qershor dhe e theksoi se një gjë e tillë nuk do të mund të realizohet brenda një afati të shkurtë”.

Ozili nënshkroi kontratë trevjeçare e gjysmë me Arsenalit në shkurt të vitit të kaluar, pasi që “Topçinjtë” nuk dëshiruan ta lejojnë atë të shkojë si transferim i lirë në fund të sezonit 2017/18.

Fenerbahce është duke tentuar ta rindërtojë skuadrën për sezonin e ardhshëm, pasi që sezonin e fundit të Superligës së Turqisë e mbylli në pozitën e gjashtë. Sulmuesi kosovar, Vedat Muriqi, është njëri ndër përforcimet e gjigantit turk për sezonin e ardhshëm. 

(Kosova Sot Online )