“Van Nistelrooy irritohej nga Ronaldo, Ferguson nuk e qortoi kurrë atë”

  • 10 July 2019 - 13:47
“Van Nistelrooy irritohej nga Ronaldo, Ferguson nuk e qortoi kurrë atë”

Ronaldo u transferua në “Old Trafford” nga Sporting Lisbon në vitin 2003, në të njëjtën verë, kur Jonathan Spector u bashkua me “Djajtë e Kuq”. Të dy bashkë ishin lojtarë të Manchester United në periudhën 2003-2006, por ndërsa amerikani e gjeti veten në “bisht” të skuadrës, ylli portugez filloi zhvillimin e tij, duke u bërë ndoshta lojtari më i mirë në botë.

Spector, duke folur ekskluzivisht tek “AmericanGambler.com”, pranoi se kurrë nuk e pa Ronaldon të qortohej me zemërim nga Sir Alex, por kjo ishte për shkak të aftësive menaxhuese të skocezit të njohur. Ai tha: “Është qesharake, Fergusoni nuk më fliste mua në atë mënyrë. Unë mendoj se Ferguson ishte tepër i zgjuar për shkak se dinte si të fliste me lojtarët, që të mos reagonin të gjithë në të njëjtën mënyrë ndaj kritikave.

Ai dinte të fliste me lojtarët, kështu që ishte shumë i zgjuar për këtë. Sidoqoftë, unë kurrë nuk e pashë atë t’i bërtiste Ronaldos. Nuk mendoj se kjo ishte një sjellje preferenciale, por vetëm një trajner si ai kishte mënyrën për të marrë më të mirën nga lojtarët e tij”.

Spector, gjithashtu, pohoi se disa lojtarë të Manchester United e kishin të vështirë të kuptonin stilin e Ronaldos, kur u bashkua me ta për herë të parë, por aty ishte vendi më i mirë për të. Spector shtoi: ‘Ai ishte një lojtar i frustruar, fillimisht. Ju mund të shihnit tek ai shumë aftësi, por ende nuk ishte produkt i përfunduar. Mendoj se Ronaldo është shumë borxhli për atë që është sot jo vetëm ndaj trajnerit Ferguson, por edhe lojtarëve që kishte përreth. 

Fergusoni bëri një punë të madhe për të pasur lojtarë në ekip, që mund ta ndihmonin Ronaldon. Mendoj se ia doli të sillte rreth tij lojtarët më të mirë. Unë mendoj se ato vite ishin formuese në zhvillimin e tij, e bënë atë produkt të përfunduar. Në atë moshë e kohë, nuk mund të kishte klub tjetër më të mirë për të se Manchester United.

Ju mund të shihni se topi i tij i fundit nuk ishte mjaft i saktë në fillim. Po ashtu, mund të shihni se në atë kohë, Ruud Van Nistelrooy shfaqej vërtet i irrituar, sepse nuk e dinte se si do të pozicionohej Ronaldo para portës kundërshtare. Megjithatë, aftësia e tij me topin, për t’i dribluar lojtarët një kundër një, ishte e qartë për të kuptuar se bëhej fjalë për një futbollist shumë të veçantë”.

(Kosova Sot Online)