Dënohet tifozi i Liverpoolit që e sulmoi një person në Barcelonë

  • 10 July 2019 - 14:26
Dënohet tifozi i Liverpoolit që e sulmoi një person në Barcelonë

Anthony Mullen ishte incizuar duke e shtyrë një shitës rruge në një shatërvan në “Plaça Reial” në Barcelonë, para gjysmëfinales së parë të skuadrës së tij në sezonin e kaluar të Ligës së Kampionëve.

Tifozi i Liverpoolit, i cili ishte arrestuar pas një sulmi ndaj një personi në sheshin e Barcelonës, tani është dënuar me tri vjet pezullim nga çfarëdo ndeshje futbolli. Atij do t’i ndalohet hyrja nëpër të gjitha stadiumet në Britani të Madhe.

Incidenti për të cilin Mullen është dënuar kishte ndodhur më 30 prill, pak orë para se të fillonte ndeshja e parë gjysmëfinale e Ligës së Kampionëve mes Barcelonës dhe Liverpoolit në “Camp Nou”. 

Pasi incidenti ishte kapur nga shumë kamerë, policia spanjolle kishte arritur ta identifikojë anglezin dhe ai ishte arrestuar vetëm disa orë më vonë.

Sipas Liverpool Echo, Mullen nuk është akuzuar për veprime kriminale, mirëpo policia vendosi ta ndëshkojë atë me pezullim trevjeçar nga stadiumet përmes një gjykate civile.

Vetë Mullen e pranoi fajin për dy akuzat e parashtruara ndaj tij – që e kishte shtyrë një qytetar të pafajshëm në një shatërvan në Barcelonë dhe për sulmin ndaj një roje të sigurimit në “Anfield”, para ndeshjes së fundit të sezonit të Premierligës.

Përveç që nuk do të lejohet të hyjë në stadiume, Mullenit do të duhet t’i qëndrojë të paktën një milje larg stadiumit “Anfield” në ditët kur ka ndeshje në këtë stadium.

(Kosova Sot Online)