Real Madridi e harron Neymarin

  • 11 July 2019 - 09:42
Real Madridi e harron Neymarin

Përkundër që Paris Saint-Germaini e ka bërë të qartë se është i gatshëm ta shesë Neymarin gjatë këtij afati kalimtar të verës, Real Madridi e ka lënë në të kaluarën interesimin për brazilianin.

Në fillim të verës raportohej se Neymari mund të jetë e ardhmja e Real Madridit, mirëpo tani braziliani ka mbetur vetëm në të kaluarën e klubit madrilen, shkruan AS.

Drejtuesit në “Santiago Bernabeu” e kanë distancuar veten nga mundësia e transferimit të Neymarit, i cili nuk është më pjesë e projektit madrilen, përkundër që jo para shumë kohe ishte ëndrra e madhe e presidentit të klubit, Florentino Perezit.

Edhe pse PSG-ja është e gatshme ta shesë atë (“Mund të largohet nëse na vjen ofertë e pranueshme nga ndokush”, tha drejtori sportiv i PSG-së, Leonardo), Neymari më nuk konsiderohet si opsion për ta përforcuar skuadrën e Zinedine Zidanit.

Klubi francez do të preferonte t’ia shiste brazilianin Real Madridit para se ta lejonte kthimin e tij në Barcelonë, mirëpo një ofertë e tillë nuk i është bërë klubit madrilen as drejtpërdrejt e as përmes ndërmjetësve.

Për më tepër, futbollisti brazilian vazhdon ta preferojë kthimin në Camp Nou e Real Madridi vazhdon ta preferojë Kylian Mbappen, 20-vjeçar. 

Sa i përket potencialit në futboll, personalitetit dhe ndikimit në aspektin financiar dhe të marketingut, Real Madridi vazhdon të besojë se Mbappe do të mundë të jetë më efikas sesa Neymari.

Për këtë arsye, drejtuesit e “Los Blancos” do të tentojë ta bindin Mbappen të mos e rinovojë kontratën e tij me PSG-në, e cila është e vlefshme deri në vitin 2022, në mënyrë që verën e ardhshme çmimi i tij të jetë më i ulët.

(Kosova Sot Online)