Gjyqtari i kthen përgjigje Messit: Humbësit kërkojnë arsyetime

  • 11 July 2019 - 10:37
Gjyqtari i kthen përgjigje Messit: Humbësit kërkojnë arsyetime

Gjyqtari Roddy Zambrano u akuzua nga ylli i Argjentinës, Lionel Messi, se bëri gabime serioze dhe të qëllimshme në disfatën e bardhekaltërve kundër Brazilit në gjysmëfinale të Kupës së Amerikës. Tani, Zambrano i është përgjigjur argjentinasit, duke thënë se humbësit kërkojnë arsyetime.

Lionel Messi e goditi CONMEBOL-in (ekuivalente me UEFA-n, shtëpia e futbollit në Amerikën e Jugut), dhe të gjithë Kupën e Amerikës pas disfatës në gjysmëfinale dhe pastaj sërish pasi Argjentina e zuri vendin e tretë të garës në ndeshjen kundër Kilit, në të cilën ylli i Barcelonës u ndëshkua me karton të kuq.

Messi sugjeroi se gjyqtarët e kishin favorizuar skuadrën e Brazilit, që ishte edhe nikoqire e turneut, gjatë gjithë turneut.

Sulmuesi argjentinas ishte veçanërisht kritik ndaj gjyqtarit Roddy Zambrano dhe VAR-it pas gjysmëfinales kundër Brazilit, duke i kritikuar ata për vendimin për të mos ia akorduar një penallti Sergio Agueros.

“Unë jam shumë i qetë për gjithçka që ka ndodhur, isha shumë transparent në punën time. Unë tentova ta jap më të mirën time”, tha Zambrano në një intervistë për radiostacionin SuperK-800 në Ekuador.

“Ne e dinim që do të ishte një ndeshje e vështirë dhe se humbësit do të kërkonin ta fajësonin dikë. Ne e dinim këtë gjë para ndeshjes dhe natyrisht se pala fajtore do të ishim ne gjyqtarët”.

“Pse nuk u transmetua pamja e kamerave nga prapa portës, ku shihet qartësisht se Aguero ndërhyn ndaj Dani Alvesit në mënyrë të mrekullueshme. Unë nuk e bëra një gabim të qartë dhe për këtë arsye nuk më kontaktuan nga dhoma e VAR-it”.

Messi ishte sërish kritik pasi u ndëshkua me karton të kuq në përballjen për vendin e tretë të Kupës së Amerikës. Ai u ndëshkua për një konfrontim me mesfushorin e Kilit, Gary Medel. Megjithatë, përkundër mungesës së Messit, Argjentina e zuri vendin e tretë.

(Kosova Sot Online )