Savicevic hap zemrën, zbulon bisedat me trajnerin serb që refuzoi të përballej me Kosovën

  • 11 July 2019 - 12:03
Savicevic hap zemrën, zbulon bisedat me trajnerin serb që refuzoi të përballej me Kosovën

Presidenti i Federatës së Futbollit të Malit të Zi, Dejan Savicevic e ka hapur zemrën dhe ka zbuluar gjithçka rreth turbullirave që u shkaktuan muajin e kaluar, kur trajneri Ljubisa Tumbakovic refuzoi ta drejtonte ekipin në ndeshje me Kosovën

Dejan Savicevic, president i Federatës së Futbollit të Malit të Zi ka zbuluar gjithçka rreth turbullirave që ishin shkaktuar në fillim të muajit qershor kur trajneri serb, Ljubisa Tumbakovic kishte refuzuar ta drejtonte ekipin në duel me Kosovën.

Kreu i futbollit serb e ka hapur zemrën duke i treguar detajet.

Ai e pranon se nuk e kishte pritur aspak mirë e ish-selektorit, i cili më pas u shkarkua nga pozita e tij.

Legjenda e futbollit malazez thotë se Tumbakovic, i cili së fundmi u emërua trajner i Serbisë, është dashur të tregonte më herët për vendimin e tij, e jo në momentet e fundit.

“Nuk i kemi pritur disa gjëra nga disa njerëz. Tumbakovic më ka zhgënjyer si person dhe si profesionist. Si mund të të thërrasë dikush pak minuta para orës 12 dhe të të thotë: ‘mos e drejto Malin e Zi’”, deklaroi fillimisht Savicevic.

“Nuk të bën patriot nëse thërret pak minuta para orës 12. Kur e kemi kuptuar se do ta kemi Kosovën në grup, ka mundur të bëhej aq patriot dhe të më thotë: ‘Dejo, nuk mundem ta drejtoj ekipin në atë ndeshje’. Ka mundur ta bënte këtë në muajin mars, kur i kemi zhvilluar ndeshjet e para, të vinte tek unë dhe të më thoshte: ‘Shiko, Dejo, Kosova do të vijë këtu, por unë nuk mundem të jem aty’. Më pas erdhi e më tha: ‘Nëse këta lojtarë nuk luajnë, nuk do ta drejtoj ekipi’. Ajo që flitet nuk ka të bëjë me patriotizmin”, ka vazhduar ish-futbollisti i Milanit. 

Presidenti i Federatës Malazeze të Futbollit gjithashtu tregon se çka i kishte thënë Tumbakovic pas vendimit të tij.

“Nëse do të kishte bisedë të ashpër, nuk do të ishte e mirë për të. Unë jam përmbajtur. E kam pasur një diskutim me të. Në atë takim ai pothuajse qau. Këtë e dinë edhe lojtarët, të cilët kanë qenë aty. Ai tha: ‘Ju kam tradhtuar’, e kujtoj mirë atë që e tha”, ka përfunduar Savicevic.

Mali i Zi barazoi me Kosovën 1:1 dhe pas ndeshjes trajneri Tumbakovic u shkarkua.

Ai ishte detyruar të refuzonte ta drejtonte ekipin pas kërcënimeve që kishte marrë nga Serbia.

Më pas, serbët e konsideruan atë hero që refuzoi të përballej me Kosovën, ndërsa pak javë më pas e shpërblyen duke ia besuar pozitën e selektorit të Serbisë.

Nga ana tjetër, Mali i Zi nuk e ka gjetur ende pasardhësin e “Tumbas”.

(Kosova Sot Online)