Pas ngjitjes në majat më të larta, Mrika dhe Arianiti kthehen sot në Kosovë

  • 12 July 2019 - 08:58
Pas ngjitjes në majat më të larta, Mrika dhe Arianiti kthehen sot në Kosovë

Pasi u ngjitën në majat më të lartë në disa kontinente – Azi, Amerikë Jugore dhe Veriore dhe Evropë – Arianit Nikqi dhe e bija e tij Mrika do të kthehen sot në Kosovë.

Federata Bjeshkatare Alpiniste e Kosovës kishte bërë thirrje që të gjithë qytetarët e interesuar për arritjet e Arianit dhe Mrika Nikqit të dalin për t’i pritur dy alpinisitët në aeroportin “Adem Jashari”, sot në orën 19:30.

“Ftohen anëtaret e komunitetit bjeshkatar dhe alpinist si dhe gjithë qytetaret qe me interesim përcjellën ngjitjet dhe arritjet e Arianit Nikqi dhe bijës se tij Mrika Nikqi ne majat e kontinentit te Azisë, Amerikës Jugore dhe Veriore dhe Evropes qe te festojmë bashke dhe presim kthimin e tyre ne Kosove, te premten me 12 korrik 2019 ne ora 19:30 ne aeroportin “Adem Jashari”, shkruhet në njoftimin e FBAK-ut.

Vitin e kaluar, Arianiti dhe Mrika ishin ngujuar në Antarktik. Pas arritën me sukses në majën më të lartë të kontinentit të akullt, Mount Vinson 4892 lmb, ata kishin arritur në kampin kryesor, ku supozohej të qëndronin një apo dy ditë.

Mirëpo, për shkak të motit të keq ata nuk mund të niseshin drejt Union Glacierit dhe kishim mbetur të bllokuar në atë kamp për disa ditë.

Megjithatë, Arianiti dhe Mrika e përfunduan me sukses ekspeditën ‘Everest 2019’, duke u ngjitur në majën më të lartë në botë..

Për më shumë, Mrika është bërë vajza më e re në botë që është përfshirë në sfidën e njohur si ‘Seven Summits’ që iu referohet ngjitjes në shtatë majat më të larta në botë. 

(Kosova Sot Online )