Së shpejti do të konfirmohet transferimi i Griezmannit në Barcelonë

  • 12 July 2019 - 11:53
Së shpejti do të konfirmohet transferimi i Griezmannit në Barcelonë

Avokati i sulmuesit francez, Antoine Griezmannit, pritet t’i depozitojë 120 milionë eurot për ta shkëputur kontratën me Atletico Madridin në La Liga sot.

Presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, bashkë me Enric Tombas dhe Oscar Grau, dje e nënshkruan një dokument për ta verifikuar pagesën prej 120 milionë eurove nga xhirollogaria e Barcelonës.

Kjo shumë është e nevojshme për ta paguar klauzolën e shkëputjes së kontratës të Antoine Griezmannit me Atletico Madridit, në mënyrë që ta ketë rrugën e lirë për t’iu bashkuar skuadrës së Barcelonës. 

E përditshmja spanjolle, Sport, raporton se Barcelona i ka marrë këto para prej fondit personal të klub dhe jo përmes ndonjë kredie. Këtë e bëri për t’u siguruar që të ketë mundësi ta bëjë edhe ndonjë transferim tjetër të madh këtë verë.

Barcelona fillimisht kishte tentuar të negocionte me Atletico Madridin për t’iu shmangur pagesës përmes avokatëve dhe La Ligës. Madje, klubi katalonas ishte i gatshëm të paguajë 127 milionë euro për francezin, më shumë sesa klauzola e tij, mirëpo kjo ofertë u refuzua nga Atletico.

Përveç nëse ndryshon ndonjë plan në momentin e fundit, Barcelona pritet ta konfirmojë këtë transferim në La Liga qysh sot.

Nëse gjithçka shkon sipas planit të klubit katalonas, sulmuesi francez do të jetë i gatshëm t’i bashkohet skuadrës së Barcelonës qysh për seancën e ardhshme stërvitore të trajnerit Ernesto Valverde.

(Kosova Sot Online)