Majlinda Kelmendi humb në gjysmëfinale, tani garon për medaljen e bronztë

  • 12 July 2019 - 14:45
Majlinda Kelmendi humb në gjysmëfinale, tani garon për medaljen e bronztë

Majlinda Kelmendi do të synojë ta fitojë medaljen e bronztë të kategorisë deri në 52 kilogramë në Grand Prixin e Hungarisë, pasi pësoi disfatë në gjysmëfinale të kësaj gare.

Xhudistja kosovare, Majlinda Kelmendi, u mposht nga japonezja Chishima Meada në gjysmëfinale të Grand Prixit të Hungarisë. Japonezja e vazhdon rrugëtimin në finale, ndërsa Majlinda tani garon për të bronztën.

Në garën për medaljen e bronztë, Majlinda fillimisht do të ndeshet me spanjollen Ana Perez Box.

Kelmendi e kaloi rrethin e parë pa luftë, ndërsa në rundin e dytë u përball me meksikanen Luz Olvera, e cila në rundin e parë e kishte mposhtur xhudisten vendase, Katinka Szabo.

Edhe pse meksikania e filloi më mirë luftën mes tyre, duke e rrëzuar Majlindën qysh në momentet e para të luftës, kosovarja u kthye fuqishëm dhe e siguroi një vend në rundin e radhës duke fituar me ippon.

Në çerekfinale, Majlinda u përball me xhudisten nga Gjeorgjia, Tetiana Levytska-Shukvani. As kjo ndeshje nuk ishte shumë e lehtë për pejanen, e cila disa herë e gjeti veten në vështirësi kundër rivales së saj. Megjithatë, në “Golden Score”, Majlinda dominoi dhe e siguroi një vend në gjysmëfinale.

Majlinda do të tentojë ta shtojë medaljen e bronztë në mesin e 22 medaljeve të fituara në turneun botëror të IJF, ku përfshihen Masters, Grand Prix dhe Grand Slams. Së fundi, Majlinda e fitoi medaljen e artë edhe në Lojërat Evropiane “Minsk 2019”.

Përveç Majlinda Kelmendit, sot Kosovën në Budapest të Hungarisë po e përfaqësojnë edhe Nora Gjakova (-57 kg) dhe Distria Krasniqi (-48 kg). Ndërsa, Akil Gjakova garon të shtunën dhe Loriana Kuka të dielën.

Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi pritet që së shpejti t’i zhvillojë gjysmëfinalet në kategoritë e tyre përkatëse. 

(Kosova Sot Online)