Edhe Nora Gjakova i siguron Kosovës medalje në Grand Prixin e Budapestit

  • 12 July 2019 - 15:14
Edhe Nora Gjakova i siguron Kosovës medalje në Grand Prixin e Budapestit

Nora Gjakova e ka ndjekur hapin e Distria Krasniqit në Grand Prixin e Budapestit, në Hungari, duke u kualifikuar në finale të kategorisë deri në 57 kilogramë.

Xhudistja kosovare, Nora Gjakova, e mposhti me ippon xhudisten nga Panamaja, Miryan Roper, duke e siguruar kështu të paktën medaljen e argjendtë. Megjithatë, Gjakova synon ta marrë në shtëpi të artën.

Gjakova e kaloi rrethin e parë pa luftë, ndërsa në rrethin e dytë e mposhti rusen Daria Dzhigaros, e cila e kishte mposhtur xhudisten nga Tunizia, Ghofran Kleifi, në rundin e parë.

Në rrethin e tretë, kosovarja triumfoi kundër fildishiases Zouleiha Abzetta Dabonne, ndërsa në çerekfinale, kosovarja 26-vjeçare u tregua shumë e fortë për bullgaren Ivelina Ilieva, të cilën e mposhti për ta vazhduar edhe më tutje rrugëtimin në Hungari.

Medalja e Gjakovës do të shtohet në mesin e 12 medaljeve të fituara në turneun botëror të IJF, ku përfshihen tituj të Masters, Grand Prix dhe Grand Slams.

Përveç Nora Gjakovës, sot Kosovën në Budapest të Hungarisë e përfaqësojnë edhe Majlinda Kelmendi (-52 kg) dhe Distria Krasniqi (-48 kg). Ndërsa, Akil Gjakova garon të shtunën dhe Loriana Kuka të dielën.

Majlinda Kelmendi tani do të garojë për medaljen e bronztë, ndërsa Distria Krasniqi e ka zënë një vend në finale të kategorisë së saj.


(Kosova Sot Online)